ANDREW MIZNER i Global Legal Group, kompani mediatike me bazë në Londër, që mbulon mbi 1.300 firma avokatore nga më të mirat në botë, me më shumë se 3.500 ekspertë në mbi 140 juridiksione publikon këtë artikull mbi kauzën e fundit të humbur nga shteti shqiptar me një grup investitorësh, bashkëpunëtorë të Francesco Becchetti-t.
Artikulli i plotë në gjuhën origjinale për të mos lejuar spekullime, apo “humbje” në përkthim gjendet në link. Por gjetjet kryesore me lajme tejet shqetësuese për Shqipërinë janë:
- Shqipëria është urdhëruar të paguajë 110 milion euro ndaj një grupi investitorësh ndërkombëtarë pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit të Bankës Botërore. Gjykata arriti në përfundimin se investitorët janë shpronësuar në mënyrë joligjore në investimin e tyre në televizionin Agon Channel dhe ndaj tyre është ndërmarrë një fushatë persekutimi. (Pra qeveria shqiptare ka persekutuar politikisht dhe financiarisht një media me qëndrim kritik ndaj saj).
- Shqipërisë iu kërkua me vendim të ndërmjetëm të tërheqë akuzat penale ndaj investitorëve, sepse po pengonte integritetin e procesit. Një ngjarje shumë e rrallë kërkesa e ICSID-it, bërë vetëm 2-3 herë në historinë e Gjykatës, duke vendosur një precedent të rëndësishëm, shpjegon David W Rivkin, bashkëdrejtues i Zgjidhjeve të Mosmarrëveshjeve Ndërkombëtare në Debevoise & Plimpton. (Pra qeveria Shqiptare është paralajmëruar për pasojat e një kauze, që hyn në më të rrallat për nga abuzimi i një shteti me një investitor)
- Investitorët përfaqësoheshin nga skuadra e Debevoise & Plimpton, e drejtuar nga Rivkin dhe bashkëdrejtuesja e Ligjit Ndërkombëtar Publik Catherine Amirfar, nga firma avokatore pariziene Scemla Loizon Veverka & de Fontmichel dhe nga firma avokatore me bazë në Romë Saccucci Fares & Partners Studio Legale Internazionale. Ata punuan me partnerët Phillippe Pinsolle dhe Tai Heng Cheng si dhe avokatët Alexander Leventhal, Marc Reifsnyder De Chassey dhe Marco Garofalo nga Quinn Emanuel Urquhart & Sullivan.Shqipëria u përfaqësua nga Avokatura e Shtetit, Michael Darowski, Karen O’Connell Anna Packwood nga Gowling WLG, si dhe Felix Wardle, Peter Webster e Siddharth Dhar nga Essex Court Chambers. (Për të krijuar një ide mbi cilësinë respektive të përfaqësimit mjafton të hyni në google)
- Një shumë shtesë prej 30 milion eurosh i është urdhëruar Shqipërisë të paguajë për Shoqërinë vendase Fuqi. (Pra shuma që Shqipëria pritet të paguajë nuk është 110 milion euro, por 140 milion, duke shtuar edhe interesat)
- Ndërsa avokatët e Francesco Becchetti-t u përgjigjën në kohë për çështjen, ata të palës shqiptare nuk ishin të gatshëm.(Asnjë marëdhënie konfidencialiteti nuk pengon palët të shprehen për çështjen, siç pretendohet nga kryeministri, apo të tjerë zyrtarë. Thjesht nuk duan)
- Pretendimi i palës shqiptare se televizioni qe i ri, një investim në fazën fillestare, pa audiencë ra poshtë nga të gjitha faktet, analizat dhe parashikimet e kohës. Gjykata vendosi se televizioni kish arritur në një pikë të rëndësishme në treg e do arrinte edhe më shumë nëse nuk do ta pengonte qeveria me veprimet e saj persekutuese. (Pra pretendimet e asaj kohe e më pas, se televizioni nuk kish audiencë e për këtë nuk krijonte asnjë problem për qeverinë me qëndrimin kritik bien poshtë me fakte e vendim gjykate).
- Paditësit po presin reagimin e Shqipërisë në pagimin e shpërblimit që u takon. Avokati Rivkin beson se Shqipëria do të përmbushë detyrimet e saj ligjore në pagesën e shpërblimit dhe se skuadra e madhe e avokatëve është mëse e pregatitur të ndërmarrë hapat për detyrimin me forcë të qeverisë shqiptare për të paguar. (Pra pretendimet e përfolura se vendimi i Gjykatës nuk mund të ekzekutohet e se shteti shqiptar pret të apelojë që të anullojë pagesën bien totalisht. Ekzekutimi i vendimit nuk varet nga çdo kërkesë për anullim dhe se ekzistojnë mënyra edhe detyruese për shtetin shqiptar të kryejë pagesën)
Ky është artikulli i disatë në revistat profesionale botërore, ku citohet vendimi i gjykatave ndërkombëtare për persekutim politik nga qeveria shqiptare mbi median kritike, mbi investitorët e huaj. Dhe se qeveria nuk ka asnjë marëdhënie konfidencialiteti për të mos u shprehur. Vendimi ka fuqinë e një verdikti të Gjykatës së Lartë dhe është Res Judicata. Nuk mund të apelohet. Çdo ditë qeverisë vetëm një pyetje: “Kush do t’i paguajë 140 milion eurot e persekutimit tënd politik dhe shpronësimit joligjor, që ke ndërmarrë?”