Vendosni fjalën kyçe....

Çfarë di Klodian Braho për korrupsionin e Ilir Beqjas? (Detajet e një përgjimi)


Në fund të vitit 2015, Prokuroria për Krime të Rënda nisi hetim për një tender multi-milionësh të zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë.

Në bazë të një kallëzimi të dorëzuar pranë Krimeve të Rënda, ekzistonin dyshime të forta se tenderi ishte organizuar në mënyrë të tillë, që t’i siguronte një kompanie farmaceutike, të lidhur fuqishëm me qeverinë e majtë, ekskluzivitetin për shitjen e një ilaçi për sëmundjet e rënda.

Hetimi përfshinte disa zyrtarë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Qendrës Spitalore Universitare Tiranë, të cilët ishin personat që kishin zhvilluar procedurat e tenderit.

Grupi hetimor kishte dyshime se zyrtarë të afërt me ministrin e Shëndetësisë së asaj kohe, Ilir Beqja, ishin përfshirë në veprime korruptive.

Pas disa javësh hetimi, rreth marsit 2016, dosja i kalon prokurorit Klodian Braho, i cili kishte vetëm pak ditë që ishte transferuar nga Prokuroria e Vlorës në atë të Krimeve të Rënda.

Burime konfidenciale nga Prokuroria për Krime të Rënda deklarojnë se disa zyrtarë të lartë të ministrisë së Shëndetësisë u vunë nën përgjim, me qëllim për të identifikuar të dhëna që mund të ndihmonin hetimin për tenderin e dyshuar si korruptiv.

Në një nga këto përgjime, siç deklarojnë burimet, është regjistruar një bisedë e Ilir Beqajt me një prej bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, i cili kishte lidhje me tenderin nën hetim.

Në këtë bisedë, gjithnjë sipas burime konfidenciale, Beqaj diskuton me bashkëpunëtorin e tij për të “falënderuar” drejtuesit e testimit për infermierë, pasi ata kanë shpallur fitues disa persona që ishin “porosi” e ministrit.

Për të përmbushur “falënderimin”, Beqaj i kërkon bashkëpunëtorit të tij të afërt që “të marrë disa dokumenta” dhe t’ia dërgojë personave përgjegjës të testimit për infermierë. Në kontekstin e bisedës, persona nga grupi hetimor kanë krijuar dyshime se kjo bisedë, për të cilën këmbëngulin se është e vërtetë, përmban veprime korruptive.

Sipas tyre, termi “dokumenta” në fakt është “shuma parash”. Gjithësesi, pak kohë pas regjistrimit të kësaj telefonate që referojnë burime të “BN”, prokurori Klodian Braho pushon hetimin për tenderin e ilaçeve, pasi nuk zbulon elementë të veprës penale.

Së bashku me mbylljen e hetimit, “mbyllet” edhe çështja e telefonatës që dyshohet se ka sfond korruptiv ndërmjet ministrit Ilir Beqja dhe një prej bashkëpunëtorëve të tij më të afërt, ku diskutohej për testimin e infermierëve.

E gjithë kjo ngjarje është treguar për redaksinë nga burime të brendshme të Prokurorisë për Krime të Rënda. Por, në mungesë të dokumentave autentikë që të provojnë plotësisht variantin e përcjellë nga burimet mediatike, “Boldnews.al” ka një pyetje publike për prokurorin Klodian Braho:

A ka dijeni për korrupsionin e dyshuar të Ilir Beqjas?

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Boldnews.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *