Vendosni fjalën kyçe....

Delegacioni i BE-së në Tiranë: Votimi më 30 qershor të mos pengohet


Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë bën thirrje që zgjedhjet e 30 qershorit të kryhen në mënyrë të rregullt.

Përmes një njoftimi për mediat, delegacioni i BE-së kërkon që qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe të shmanget dhuna më 30 qershor.

Sipas këtij delegacioni, është përgjegjësi e të gjithë aktorëve politik për të siguruar që votimet të mos pengohen.

“Qytetarët shqiptarë duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në mënyrë të rregullt dhe paqësore. Duke pasur parasysh votimet që do të zhvillohen më 30 qershor 2019, është e domosdoshme që qytetarët që ushtrojnë të drejtat e tyre ta bëjnë këtë në një mënyrë të rregullt. Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e të gjithë aktorëve politikë për të siguruar që veprimtaritë e votimit të mos pengohen.

Demonstrata e zhvilluar në Tiranë më 21 qershor 2019 ishte paqësore dhe të njëjtat parime dhe vlera demokratike duhen ruajtur këtë fundjavë. Çdo veprim i dhunshëm apo çdo formë nxitjeje për dhunë janë absolutisht të papranueshme në çfarëdo lloj rrethane. Të gjitha palët politike duhet të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin retorikën provokuese. Procesi i votimit do të vëzhgohet nga një mision ndërkombëtar i drejtuar nga OSBE/ODIHR që përfshin vëzhgues nga disa vende anëtare të Bashkimit Evropian.

Të gjitha palët duhet të angazhohen në një dialog të mirëfilltë, sa më shpejt që të jetë e mundur, për të kapërcyer situatën aktuale politike në mënyrë që t’i përqëndrojnë përpjekjet e tyre në mbështetjen dhe konsolidimin e progresit të bërë nga Shqipëria deri më tani në procesin e reformave në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian.”, thuhet në deklaratën e delegacionit të BE-së.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *