Pas propozimit të ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, për shkarkimin e kryetarit të bashkisë të Vaut të Dejës, Zef Hola, vjen reagimi i këtij të fundit.
Në një prononcim për “FaxNews”, Hila tha se nuk ishte në dijeni të këtij vendimi, ndërsa mohoi të ketë qenë në protestën e djeshme.
“Jo unë nuk jam në dijeni të një akti të tillë, por jam në dijeni se është organizuar një protestë ditën e djeshme nga shoqëria civile dhe dega e PD-së së bashkisë së Vaut të Dejës.
Në atë moment unë nuk kam qenë prezent por isha diku në zonë, kam dhënë udhëzime normalisht që protestat të jenë paqësore sepse nuk ishte protesta e parë ajo, ne kemi qenë model përsa i përket organizimit të protestave.
Unë nuk kam qenë as në protest, dhe as në periferi në ato momente. Unë nuk kam asnjë dijeni. Unë nuk jam në dijeni të nismës të tillë për shkarkim, por unë besoj se ministri nuk është në dijeni nëse kam qenë apo jo unë. Kjo ka qenë një nismë e degës së PD-së, nuk ka pasur lidhje kreu i Bashkisë, unë mendoj se ministri nuk ka informacion ose e kanë disinformuar.
Vëllai im ka qenë në protestë si gjithë qytetarët e tjerë nëpër protesta. Por për këtë rast unë nuk kam informacion. Nuk e di.”, tha Hila.
Vëllai i kryebashkiakut të Vaut të Dejës Alfred Hila, u arrestua sot duke e çuar në 15 numrin e të arrestuarve lidhur me djegien e KZAZ-së në Bushat.
Sakaq në kërkim është edhe djali i kryebashkiakut.