Ilir Meta ka dekretuar datën 13 tetor për mbajtjen e zgjedhjeve vendore edhe pse Edi Rama është i vendosur t’i realizojë nesër, më 30 qershor.
Sot, teksa Rama dhe tijtë janë duke respektuar heshtjen zgjedhore, Meta ka vendosur të japë një mesazh për të gjithë, me qëllimin që të qëndrojnë larg tensioneve.
“Të dashur miq!
Kënaqësi t’ju uroj nga lagjja ku banoj një fundjavë sa më të qetë për të gjithë ju, dhe sa më pranë familjeve tuaja e njerëzve të dashur të zemrës.
Po kështu sa më larg zhurmës, tensioneve dhe streseve. Të mos harrojmë se nuk ka vetëm të dielë, por edhe të hënë. Dhe përsëri kafen e mëngjesit do e pimë me njëri-tjetrin, me fqinjët tanë dhe miqtë tanë, pavarësisht nga idetë e ndryshme politike.”, shkruan Meta, duke postuar edhe një foto me bashkëbiseduesin.
“Ka edhe të hënë”, thotë Meta, duke shtuar kuriozitetin e ndonjë vendimi që pritet prej presidentit të republikës.