Vendosni fjalën kyçe....

Stisje plagosjesh të policëve dhe arrestime – Ç’po ndodh para votimeve


Dibra duket se është zona më e nxehtë për momentin, sa u përket konflikteve dhe tensioneve mes banorëve dhe policisë, lidhur me votimet e nesërme edhe pse Presidenti i Republikës ka dekretuar 13 tetorin si datën e zgjedhjeve vendore.

Edhe pse plagosja e 7 efektivëve u shit si sulm i banorëve ndaj tyre, sot janë publikuar nga Partia Demokratike dëshmi kompromentuese se çështja vetëm sa është fryrë dhe efektivët ishin helmuar thjesht nga gazi lotsjellës. (Lexo më shumë KETU)

Por, në Dibër ka arrestime të banorëve që kundërshtojnë votimet. 12 qytetarë janë prangosur dhe 39 të tjerë janë shpallur në kërkim.

DETAJET E PLOTA NGA POLICIA:

Policia e Dibrës ka arrestuar 12 persona, 39  të tjerë janë shpallur në kërkim,   si të dyshuar për sulmin ndaj  KZAZ nr. 19, në qytetin e Peshkopisë

Arrestimi i tyre u bë pasi më datë 28 Qershor 2019 rreth orës 21.00, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë, janë grumbulluar pranë KZAZ Nr. 19, e cila ndodhet në ambientet e palestrës së shkollës “Nazmi Rushiti” në qytetin e Peshkopisë.

Protestuesit kanë përdorur sende të forta, kapsolla  dhe bomba molotov në drejtim të KZAZ-s, si dhe në drejtim të punonjësve të Policisë që ishin të vendosur me shërbim.

Policia ka arrestuar në flagrancë 12 shtetas, konkretisht:

  • K.U., 29 vjeç, banues në fshatin Pollazhan
  • M.Gj, 29 vjeç, banues në fshatin Ushtelenxë
  • A.K, 55 vjeç, banues në fshatin Kandërr
  • F. V., 54 vjeç, banues në Peshkopi
  • A. K., 23 vjeç, banues në fshatin Kandër
  • E.K., 25 vjeç, banues në fshatin Kandër
  • J. K., 31 vjeç, banues në fshatin Kandër
  • I. K., 52 vjeç , banues në fshatin Kandër
  • O. Z., 32 vjeç, banues në fshatin Ushtelenxë
  • E. B., 32 vjeç, banues në fshatin Kandër
  • L.Z., 42 vjeç, banues në fshatin Ushtelenxë
  • A. B., 61 vjeç, banues në fshatin Rashnapojë.

Për këtë ngjarje,  janë shpallur në kërkim edhe 39 shtetas të tjerë .

Materialet procedurale në ngarkim të autorëve të sulmit i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Dibër, për veprat penale: ‘’Shkatërrimi i pronës me zjarr’’, ’’Kundërshtimi me dhune i punonjësve të policisë rendit publik’’ dhe ‘’Dëmtimi me dashje i  materialit zgjedhor”, parashikuar nga neni 151/2, dënimi nga 5 deri në 15 vjet,   Neni 236/2 dënimi me gjobë, ose burg deri në 7 vjet dhe  Neni 326/a dënimi me burg nga 6 muaj deri ne 5 vjet.”

VIDEO e shpërndarë nga burime konfidenciale policore:

 

Përfaqësuesi i PD-së për Dibrën, Xhemal Gjunkshi deklaroi se  forcat speciale Renea, FNSH dhe policia vendore e Dibrës kanë ushtruar terror ndaj qytetarëve.

PJESË NGA DEKLARATA:

“Në shkelje të plotë të ligjit, policë me maska të veshur si terroristë kanë shqyer dyert, kanë kontrolluar dhe kanë shoqëruar 12 qytetarë.

Kundrejt personave të shoqëruar dhe familjarëve të tyre është ushtruar dhunë fizike, ç’ka është e papranueshme.

Kontrollet kanë vijuar nga ora 02:30 e natës e në vazhdim, duke goditur e masakruar gra e fëmijë.

Në fshatin Tomin është goditur një grua e cila vazhdon të jetë ende në gjendje të rëndë, madje policia ka goditur edhe djalin 14 vjeçar i cili ka tentuar t’i japë ndihmë nënës së tij dhe nuk është lejuar ta çojë në spital, duke i thënë lëre të vdesë aty.

Në fshatin Kandër në orën 03: 37 min, policia ka hedhur gaz lotsjellës brenda në një banesë duke helmuar burra, gra e fëmijë në gjumë.

Edhe njëherë informojmë opinionin publik se: Protesta ishte në formën e marshimit, shumë e qetë dhe qytetare.

Provokimet ishin të gjitha nga policë civilë dhe persona të panjohur, të infiltruar nga policia, gjë e cila u konstatua që në fillim të protestës.

Nga ana e protestuesve nuk është lënduar, dëmtuar asnjë punonjës i policisë së shtetit apo qoftë edhe një qytetar i thjeshtë.

Deklarata në ngutje e sipër e Ministrit Lleshaj dhe policisë së shtetit ,ka qenë tërësisht një mashtrim dhe një turp shumë i madh.

Lëndimet e policëve, gazetarëve dhe qytetarëve, kanë ardhur nga sasia e tepërt e gazit lotsjellës që është përdorur. Gjatë gjithë kohës qytetarët kanë ndihmuar policët, që ishin të pa përgatitur për përdorim gazi.

….

Nga burimet tona, që disponojmë deri në këto momente në KZAZ nr. 19 nuk ka patur materiale zgjedhore. E gjitha kjo ka qenë një provokim nga ana e policisë pasi kjo vërtetohet se edhe në këto momente mjetet e ushtrisë po transportojnë materialet zgjedhore nga Bulqiza drejt Peshkopisë.”

 

Arrestime janë kryer edhe në Mallakastër, 3 punonjës bashkie, ndërsa është shpallur në kërkim nënkryetari i kësaj bashkie për pengim të votimeve dhe 2 punonjës në Pogradec./ Hashtag.al

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *