Dy anëtarë të PD-së në Fier, të quajtur Klevis Berzheta dhe Fredi Davidi janë shoqëruar në polici me arsyetimin se po pengonin qytetarët të votonin.
Sipas policisë së këtij qyteti, 2 vëzhguesit e PD-së po numëronin votuesit që hynin e dilnin nga QV-të duke intimiduar dhe penguar kësisoj procesin e votimit.
Lidhur me këtë ngjarje, ka reaguar kreu i PD-së në Fier Luan Baçi, i cili tha në një deklaratë për mediat se policia është bërë njësh me krimin.
“I gjithë procesi i votimi është një incident më vete pasi ka një terror mbi punonjësit e administratës por edhe mbi pensionistët që kanë fëmijët në punë. Te spitali përveç mjekëve që nuk po i dëgjojnë dhe nuk do vijnë, për infermierët ka një listë që ndiqet një nga një. ka një presion në Sakran ku kryetari po shkojnë në çdo shtëpi. Policia ka shoqëruar dy anëtarë të PD në Topojë të cilët duan të shohin sa qytetarë kanë shkuar për të votuar. Balili dhe Klevis Përzhika janë marrë jashtë qendrave të votimit. Policia është bërë njësh me krimin. Ajo po punon në mbështetje të kryetarit të bashkisë. Kjo është e turpshme, një fasadë. Merreni me mend çfarë do të ndodhë në orën 19:00”, tha Baçi.
Sipas tij, prindër dhe pensionistë janë deturuar të votojnë me dhunë pasi kanë fëmijët në administratë.