Ndërkohë që zhvillohet procesi i votimit për 61 bashkitë në vend, në disa shkolla në kryeqytet simpatizantë të opozitës kanë nisur protestat.
Te shkolla “Kushtrimi i Lirisë” apo para gjimnazit “Partizani”, qytetarët kanë protestuar kundër mbajtjes së zgjedhjeve pa garë, por pa penguar të tjerët që po votonin.
Ata i krahasojnë zgjedhjet bashkiake, me zgjedhjet e mbajtura në kohën e regjimit duke thirrur “Partia-Enver”. Protestuesit i binin klarinetës dhe fizarmonikës te gjimnazi “Partizani” e më pas vijuan drejt Shkollës së Kuqe.
Në kohën e diktaturës ditën e votimeve kishte festë, ku kishte saze, këngë e valle.
Në pankartat që mbanin në duar, lexohen mesazhe si: “Modeli Rama, model i mafias, model i krimit”.
“Kam dalë me vullnetin tim, dua të më shkojë e saktë vota, jo të jetë njëpartiake”, thotë një qytetare.