Ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka reaguar pas deklaratës së KQZ-së se deri në orën 10:00, pjesëmarrja e qytetarëve në votime është 12%.
Mirëpo Tabaku këtë e ka konsideruar gënjeshtër, pasi një pjesëmarrje e tillë ka qenë edhe në vitin 2017 në të njëjtën orë, kur zgjedhjet ishin normale.
“Sipas KQZ pjesëmarrja ne orën 10 është 12 përlind ekzaktesisht sa ne 2017 si tregon dhe vete faqja e KQZ. Gënjejnë dhe trashe, dhe kur numërojnë vete, votojnë vete, përsëri kane nevoje te genjejne!
Këto nuk janë zgjedhje as votime, kjo është administrata e detyruar për te shkuar ne votime per te mos humbur vendin e punës!
Vete votojnë, vete numërojnë, vete vulosin”, shkruan Tabaku.
Përmes një deklarate për mediat, më herët zëdhënësja e KQZ-së Drilona Hoxha tha se vetëm në 7 qendra votimi në qarkun e Shkodrës, ende nuk ka filluar procesi i votimit. Sipas saj pjesëmarrja në votime deri në orën 10:00 ka qenë 12 %.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve informon opinion publik se janë hapur të gjithë qendrat e votimit në të gjithë vendin, duke përjashtuar 7 Qendra Votimi në Postrribë të qarkut Shkodër. Nga këto, 6 qendra votimi nuk ka filluar ende votimi, ndërsa për 1 qendër votimi janë djegur materialet zgjedhore.
Vlen të theksohet se, 53 qendrat e votimit e KZAZ-së nr. 6 Vau i Dejës pavarësisht vonesave të shpërndarjes së materialeve zgjedhore, për arsye tashmë të njohura publikisht, janë hapur dhe procesi i votimit ka filluar normalisht.
Deri tani pjesëmarrja në votime është: 12%.
Kjo është një e dhënë paraprake, e cila ndryshon në bazuar në informacionin që Qendrat e Votimit kanë përcjellë në qendrën e të dhënave në KQZ.”, tha Hoxha.
Më tej ajo u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votime.