Shqipëria është zyrtarisht ekonomia më anemike e rajonit. Sipas Bankës Botërore, Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar pritet që këtë vit të rritet me vetëm 2.9 për qind.
Të gjitha ekonomitë e tjera të rajonit do të kenë një rritje më të lartë, duke e lënë Shqipërinë në fund. Dhe, përveç Kosovës, këto janë të gjitha vende që kanë një standard më të lartë jetese se Shqipëria, i cili do të thellohet më tej.
Kjo është hera e parë nga viti 2015 që rritja ekonomike bie nën 3 për qind. Vendi po ecën mbrapsht. Po çfarë po ndodh me ekonominë?
Shkaku me të cilin justifikohet ngadalësimi i fortë i ekonomisë këtë vit është kriza energjetike. Por kjo nuk është thjesht një lojë numrash.
Shqipëria përjetoi krizë energjetike edhe në vitin 2017, por kurba e rritjes ekonomike, nuk ndryshoi krah. Përkundrazi vazhdoi të forcohej, nga 3.3 për qind që ishte në 2016-ën në 3.8 për qind.
Ndaj ka diçka tjetër që po e frenon ekonominë. Dhe përgjigjia janë reformat. Ekonomitë e vogla dhe të hapura si Shqipëria kanë vetëm një rrugë për t’u zhvilluar shpejt; të bëjnë reforma agresive. Por vitet e fundit të gjitha reformat kanë ngelur në vend, e madje në sektorë të caktuar si energjia janë përmbysur.
Shumica e politikave ekonomike orientohen vetëm për të kënaqur interesa të ngushta. Pjesa më e madhe e ligjeve që shkojnë në Parlament kanë emër të veçantë nga pas.
Në fushën e prokurimeve, koncesionet dhe korrupsioni kanë zhdukur garën. Praktikisht qeveria është bërë arbitri që shpërndan fitimet dhe dikton se si shpërndahet mirëqenia në ekonomi. Por jo në interes të publikut.
Një qeveri që nuk beson tek reformat, por hyn në biznesin e pistë të ligjeve speciale me përfitues të veçantë e ka mbaruar misionin e saj dhe sa më shumë qëndron në pushtet aq më shumë dëme shkakton. Ekonomia po i jep mesazhet. Pjesa tjetër i takon votuesve.