Ka përfunduar procesi i numërimit të votave në gjashtë bashki, në atë të Himarës, Belshit, Poliçanit, Libohovës, Konispolit dhe Kolonjës.
Në shumicën e këtyre bashkive, kishte vetëm një kandidat në garë dhe rezultati nuk mund të ishte surprizues. Vetëm në Belsh dhe Kolonjë ishin dy kandidatë.
Kandidati i vetëm në garë, Jorgo Goro është rizgjedhur për herë të tretë në Himarë me 4,209 vota. Goro kandidonte nën sigën e koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane.
Në Kolonjë është shpallur fitues Erion Isai i cili ka grumbulluar 4279 vota, ose 93.37% të votave të përgjithshme.
Luiza Mandi ka konfirmuar veten si kryetare e Bashkisë së Libohovës, pa patur asnjë kundërshtar. Me numërimin e 12 kutive, Mandi mori 1275 vota.
Shuaip Beqiri i cili gjithashtu garonte pa kundërshtar, është rikonfirmuar si kryetar i Bashkisë së Konispolit, ku nga 17 kutitë e numëruar ka siguruar 3328 vota.
Gjithashtu edhe kryetari i Bashkisë së Belshit e ka rikonfirmuar postin e tij. Nga 41 kutitë e numëruara, Arif Tafani ka siguruar 6377 vota.
Në Poliçan fitues u shpall kandidati i vetëm në garë Adriatik Zotkaj me 4681 vota.
Këto janë zgjedhjet e para në demokraci, ku opozita nuk merr pjesë e për më tepër në pjesën më të madhe të bashkive, kishte vetëm një kandidat për kryetar. Duket paradoksal raportimi për rezultatet paraprake: “Kandidati i vetëm në garë po fiton me x % vota të numëruara”.
Sipas KQZ-së, pjesëmarrja e qytetarëve në këto votime ka qenë vetëm 21.6b %, që e përkthyer në shifra jep 771.863 votues në mbarë vendin.
Në një prononcim për Hashtag.al, ish-anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Hysen Osmanaj tha se me Kodin e ri Zgjedhor, nuk ka një përqindje votuesish që i bën të pavlefshme zgjedhjet.
Ndërsa shtoi se mundësia e vetme që kjo të ndodhë është shpallja nga ana e KQZ-së për pavlefshmëri të rezultatit në disa bashki të vendit për arsye parregullsish, në atë masë sa të ndikojë në rezultatin e përgjithshëm të votimit./Hashtag.al