Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Më 13 tetor zgjedhje të përgjithshme dhe për president


Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dhënë propozimin e tij për zgjidhjen e krizës politike në vend. Meta tha se ka vendosur që në tetor të mbahen dy palë zgjedhjesh, zgjedhje të përgjithshme si edhe për një president të ri.

“Unë jap zgjidhjen time si president në interes të gjithë shqiptarëve, të gjithë drejtuesit e tyre dhe përfaqësuesit e tyre. Ata nuk patën mundësi të zgjedhin. Kjo është përgjegjësi të dy palëve por edhe të disa të tjerëve të përfshirë kundër parimeve europiane.

Në 13 tetor ka zgjedhje të përgjithshme edhe zgjedhje për president. S’kam asnjë shqetësim, në Edi Rama s’më do mua të vënë kandidat kë të dëshirojnë. Kjo është rruga që e zgjidh këtë krizë të tmerrshme.”, tha Meta.

Presidenti ironizoi kryeministrin Edi Rama i cilin nuk iu përgjigj ftesës së tij për dialog, por shkoi të lahej në një pishinë private afër presidencës.

“Unë besoj përgjigjen time e dhashë të qartë. Unë pres. Nëse merr dikush tjetër një iniciativë për të zgjidhur këtë krizë, unë jam gati ta mbështes. Kush do të lahet në pishinë, të lahet pa problem por do të lajë faturën e kësaj krize.”, tha Meta.

Gjatë fjalës së tij, Meta dha dhe një mesazh për miliarderin George Soros. Ai thotë se kryeministri hungarez Viktor Orban e kishte paralajmëruar për rrezikun që paraqiste George Soros, por ai nuk e kishte besuar.

“Kam dy fjalë për George Soros. S’e kam dëgjuar me vëmendje Orbanin, kur i flisja me gjithë dashuri për George Sorosin dhe më tha kini kujdes se nuk është aq demokrat sa c’dduhet dhe shpesh komploton. Atëhere na ndihmoi se ishim në opozitë. Unë i uroj Sorosit jetë të gjatë.

I uroj suksese edhe të birit që vjen shpesh në Shqipëri, t’i gëzojë ato miliardat e veta. Shqipëria është një vend i vogël për përmasat e tij, të investojë në përmasat e mëdha, se Ilir Meta nuk është tip Gruevski.

Ilir Meta është presidenti i vendit dhe i del për zot vendit. Jam i racës së tipit Avni Rustemi, Mic Sokolit, Vojo Kushi. Po qesh “kushërira” ime, Ambrozia, jam  i gatshëm të bëj testin e shëndetit mendor dhe pas kësaj krize duhet të vëmë në kushtetutë testin e shëndetit mendor dhe jam gati të bëj edhe testin e drogës, kurse për tetstin e shqiptarit e dinë ata që e kam bërë e do ta bëj në çdo kohë”, tha presidenti Meta.

Më tej presidenti e konsideroi Reformën në Drejtësi një koloni të fondacionit të Sorosit.

Mes të tjerash, Meta zbuloi edhe disa mesazhe që i kishte dërguar kryeministri Edi Rama, dy ditë pas 16 shkurtit kur opozita deklaroi se do digjinin mandatet.

” Shikoni çfarë më shkruan, sepse nuk e kam zakon të nxjerr mesazhe por do fillojmë t’i nxjerrim këto punë. Do i çojmë dhe arkivit të shtetit ca dokumente që t’i ketë për historik. Më 18 shkurt dy ditë pas 16 shkurtit, kryeministri i shkruan presidentit të Republikës, meqë Luli dhe Mona kanë thënë se do djegin mandatet. 

 Sms e Ramës: “Lulit i kam shkruar në fund të vitit 2017 se pas zgjedhjeve lokale nuk do të jetë kryetar partie e ka gjet kryetaren, ndërsa ty po të shkruaj sot që pasi të mbarosh mandatin si president nuk do të gjesh më gjurmë LSI-je. Mbase jam gabuar por më pëlqen të bëj parashikime mbi bazën e analizave të mija dhe përtej të tjerave sinqerisht më vjen keq.”

I vjen keq dhe për Lulin dhe për mua që nuk do gjekam gjurmë LSI-je. Mua kur s’më erdhi keq për të gjithë historinë time në PS, që i dhashë  vitet më të mira të jetës sime, në ditët më të vështira dhe të zeza, që nuk hynte njeri atje vetëm 70 vjeç e lart dhe që Edi i gjuante me gura dhe donte ta nxirrte jashtë ligjit bashkë me Saliun dhe bënte partinë kist atje, e bënin ca historira të tjera të bukura, mua nuk më vjen keq as për LSI-në që e kam bërë për t’i dhënë mundësi Shqipërisë dhe të gjithë atyre si Gjosha, Panariti të bëjnë diçka të mirë për Shqipërinë dhe nuk e kam bërë mirë për veten time dhe ai ta dijë mirë se në çdo moment bëj një LSI tre katër herë më të madhe se ajo që e kam lënë, por ky nuk është qëllimi im. Qëllimi im është që të mos lejoj Edin dhe ata ku Edi është peng që të mos lënë gjurmë demokracie këtu. Që të mos lënë gjurmë Shqipërie këtu. Prandaj Edi thellohu!” , tha presidenti.

Ai përsëriti për të disatën herë se do bëjë më të mirën në interes të shqiptarëve për zgjidhjen e krizës politike./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *