Vendosni fjalën kyçe....

Raketa ruse godet gabimisht Qipron


Qiproja Veriore është goditur nga një raketë, në një zonë malore rreth 20 kilometra nga kryeqyteti Nikosia. Liderët e rajonit të kontrolluar nga Turqia, kanë njoftuar se shpërthimi ka ndodhur brenda natës dhe duket se raketa kishte origjinë ruse.

“Vlerësimi i parë është se është një raketë e bërë nga Rusia, e cila ishte pjesë e sistemit të mbrojtjes ajrore që u zhvillua mbrëmë përballë një sulmi ajror kundër Sirisë, që ra në vendin tonë pasi ajo humbi shënjestrën”, shkruante ministri i jashtëm turk-qipriot, Kudret Ozersay në mediat sociale.

Kryeministri turk qipriot Ersin Tatar, tha se askush nuk u plagos në shpërthimin para agimit afër fshatit Tashkent. Banorët i thanë mediave qipriote se kishin parë një dritë të shndërritshme në qiell dhe kishin dëgjuar 3 shpërthime të fuqishme. Raketa kishte shpërthyer në ajër përpara se të përplasej.

Mbetjet e gjetura përputhen me ato të një rakete të mbrojtjes ajrore të Rusisë, S-200, që goditi Gaziantepin në Turqi në Korrik 2018. 

Siria rregullisht gjuan raketa mbrojtëse ajrore gjatë sulmeve ajrore izraelite. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, tha se 15 vetë u vranë në një sulm ajror izraelit brenda natës pranë kryeqytetit sirian Damask dhe krahinës qendrore Homs.

Izraeli nuk ka komentuar mbi sulmin e raportuar, shkruan DW.

Qipro në Mesdheun lindor është ndarë midis turqve etnikë në veri dhe greko-qipriotëve në jug që nga një pushtim turk në vitin 1974. Turqia është i vetmi vend që njeh qeverinë e Qipros Veriore.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *