Vendosni fjalën kyçe....

Trump paralajmëron me taksa të reja prodhimet evropiane


Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka kërcënuar se do të vendosë taksa ndaj prodhimeve evropiane që kanë vlerën e katër miliardë dollarëve. Në mesin e prodhimeve që do t’i nënshtrohen këtyre taksave janë djathi, uiski dhe ullinjtë.

Përfaqësuesi tregtar i Shteteve të Bashkuara e publikoi një listë me 89 prodhime të ndryshme që mund të përfshihen në planin e ri për taksa. Këtu përfshihen edhe pastat, kafeja dhe proshuta. Në listën më të re gjenden edhe disa prodhime të bakrit dhe metaleve të tjera.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë kërcënuar njëra-tjetrën me taksa për aeroplanë, traktorë dhe prodhime ushqimore. Kjo mosmarrëveshje tregtare erdhi pas vendosjes së taksave ndaj prodhuesit amerikan të aeroplanëve, Boeing, dhe rivalit të tij evropian, Airbus.

Në maj të vitit të kaluar, presidenti amerikan kishte vendosur taksë prej 25 për qind për çelikun e importuar nga Evropa dhe 10 për qind për aluminin e importuar nga ky kontinent, duke thënë se luftërat tregtare janë të mira.

Bashkimi Evropian u kundërpërgjigj në shkurt të këtij viti, duke vendosur kufij për importet e çelikut, shkruan “The Guardian”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *