Një gjykatë në Prizren, dënoi me 14 vjet heqje lirie ish pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Remzi Shala, nën akuzat për krime lufte kundër popullsisë civile, raporton Zëri i Amerikës.
Remzi Shala, i njohur me emrin e luftës. “Molla e kuqe”, akuzohet në lidhje me rrëmbimin e një civili shqiptar, Haxhi Perteshit nga fshati Duhël i komunës së Suharekës, 21 vjet më parë, i cili pak ditë më vonë ishte gjetur i vdekur.
Ai mohoi në tërësi akuzat dhe mbrojtja e tij paralajmëroi ankesë.
Remzi Shala, ishte thirrur ndërkaq në fillim të këtij viti për intervistë edhe në Gjykatën e Posaçme për krime lufte në Hagë, por kishte refuzuar t’i përgjigjet ftesës dhe ka theksuar se nuk e njeh autoritetin e asaj gjykate.
Ftesa ndaj tij është një nga dhjetëra syresh që janë shpërndarë nga Prokuroria e Posaçme për krime lufte në Kosovë, e cila këtë viti filloi në Hagë intervistimin e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, që me emrat dhomat e specializuara, do të veprojë në Hagë, nën ligjet e Kosovës dhe me prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.
Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.
Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.