Një 50-vjeçar nga Elbasani është arrestuar 21 vite pasi kishte kryer një vrasje të dyfishtë.
Sokol Taçe, pas përfshirjes në një ngjarje të rëndë të ndodhur në vitin 1998 në Bergamo të Italisë, u rikthye në vendin e lindjes.
“Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan në bashkëpunim me Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Interpol Tirana, pas një pune të mirë-organizuar dhe profesionale, në bazë të informacioneve të marra, bënë kapjen dhe arrestimin e përkohshëm me qëllim ekstradimin drejt Italisë të shtetasit shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar: S. T., (alias V.D.,) 50 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan. Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Bergamos në Itali ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, njoftoi policia.
Babai i tre djemve, dy prej të cilëve binjakë, ishte i papunë. Për shkak të së kaluarës së tij të errët, ai nuk publikonte asnjë foto në rrjetet sociale, përveç shfaqte imazhe makinash. Por, e vërteta e përfshirjes së tij në vrasjen e dy kushërinjve Kolaveri në Itali ende nuk dihet ekzaktësisht.
Sokol Taçe dyshohet për vrasje në bashkëpunim me Almir Harunin, 44 vjeç, i cili ndodhet në burg në Shqipëri. Zbulimi i tij si autor i vrasjes së kushërinjve Kolaveri erdhi pas 9 vite hetimesh. Kjo, pasi të vetmen provë që hetuesit italianë kishin ishte shenjat e lëna në një gotë uji, që autori kishte përdorur në lokalin ku ishte ulur para krimit.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan për veprime të mëtejshme”, bëhet e ditur nga Policia.