Vendosni fjalën kyçe....

Kush është Haya Bint al-Hussein, princesha e Dubait që “fshihet” në Londër


Princesha Haya Bint al-Hussein, një nga gratë e sundimtarit të Dubait, Sheikut Mohammed Al Maktoum, e ka lënë burrin e saj. Një lëvizje shumë e pazakontë kjo për një anëtar të familjes mbretërore në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Tani princesha thuhet se është fshehur në një shtëpi në qendër të Londrës.

Ajo mungoi në garat me kuaj në “Royal Ascot” këtë vit, pavarësisht se ajo ishte një kalorëse olimpike dhe e rregullt në gara.

BBC” shkruan se princesha kishte frikë për jetën e saj ndërsa përgatitet për një betejë gjyqësore me bashkëshortin.

Princesha Haya ka lindur në maj të vitit 1974. Babai i saj ishte mbreti Hussein i Jordanisë dhe nëna e saj ishte mbretëresha Alia al-Hussein. Ajo ishte vetëm tre vjeç kur nëna e saj u vra në një aksident me helikopter në jug të vendit.

Sunduesi i tanishëm i Jordanisë, Mbreti Abdullah II, është gjysmë-vëllai i saj.

Princesha kaloi shumë kohë në Britani të Madhe kur ishte fëmijë. Ajo ndoqi dy shkolla private, në “Badminton School” në Bristol dhe në “Bryanston School” në Dorset, para se të studionte Politikë, Filozofi dhe Ekonomi në Universitetin e Oksfordit.

Ajo ka treguar më parë në intervista se ka një pasion për gjuetinë, të shtënat dhe makinat e rënda.  Ajo pretendon se ështe gruaja e vetme e licencuar për të drejtuar kamionë të rëndë në Jordani.

Princesha Haya, në moshën 19-vjeç ishte një kalorëse profesioniste.

Ajo hipi për herë të parë në kalë kur ishte shumë e vogël dhe në të 20-at e ndoqi sportin si karrierë duke u bërë një atlete profesioniste.

Kulmin e karrierës së saj e arriti kur përfaqësoi Jordaninë në Lojërat Olimpike të vitit 2000 në Sydney.

Më 10 prill të vitit 2004, princesha Haya u martua me Sheikun Mohammed – nënkryetar dhe kryeministër i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe sundimtari i Dubait.

Ai ishte 53-vjeç në atë kohë dhe princesha Haya 30-vjeç, e cila u bë gruaja e tij e gjashtë dhe më “e vogla”. Ai thuhet se ka 23 fëmijë nga bashkëshortet e tij të ndryshme.

Ashtu si ajo, edhe ai kishte pasion për kuajt. Sheiku Mohammed ishte themeluesi dhe pronari i stallave “Godolphin” të garave me kuaj.

Çifti u martua në një ceremoni të bukur në Amman. Në vitet kur princesha Haya fliste publikisht për marrëdhënien e saj me sheikun Mohammed, pikturonte një pamje të jetës së përsosur familjare.

“Çdo ditë habitem nga gjërat që bën. Çdo ditë falënderoj zotin se jam me fat që jam pranë tij”, i tha ajo revistës “Emirates Woman” në vitin 2016.

Por problemet filluan vitin e kaluar, kur Latifa, një nga vajzat e sheikut Mohamed, u përpoq të largohej nga vendi.

Në një video që u përhap në mbarë botën, princesha 33-vjeçare pohoi se ajo dhe familja e saj “nuk kishin liri zgjedhjeje” në jetën e tyre dhe se ajo ishte abuzuar.

Latifa thuhet se u arratis me ndihmën e një francezi, por u kap nga burra të armatosur jashtë brigjeve të Indisë dhe u kthye në Dubai. Në dhjetor, u publikuan fotografitë e saj ku shfaqej e ulur pranë ish-presidentit irlandez Mary Robinson.

Autoritetet në Dubai insistuan se Latifa ishte “e prekur nga shfrytëzimi” dhe tani  “ishte e sigurtë në Dubai”.

Në atë kohë, princesha Haya përsëriti deklaratën, duke thënë se ishte “e paimagjinueshme që kjo gjë ka shkuar aq larg nga e vërteta”.

Por tani, pak më shumë se gjashtë muaj më vonë, burimet pranë princesha Haya i thanë “BBC“-së se ajo kishte zbuluar fakte shqetësuese rreth përpjekjes së princeshës Latifa për të ikur dhe i ishte nënshtruar presionit në rritje nga anëtarët e familjes së burrit të saj.

Ajo thuhet se nuk ndjehej më e sigurtë dhe u largua në Gjermani, e më pas në Britani të Madhe.

 

Burri i saj nuk i është përgjigjur zyrtarisht raporteve për martesën e tyre. Por ka bërë një postim në “Instagram” më 10 qershor, ku akuzon një grua për “Tradhëti”.

Princesha Haya thuhet se jeton në një shtëpi me vlerë 107 milionë dollarë dhe po përgatitet për një betejë ligjore në Gjykatën e Lartë të Mbretërisë së Bashkuar.

VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e BBC/ Përshtati në shqip Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *