Ministrja polake për Sipërmarrjen dhe Teknologjinë, Jadwiga Emilewicz deklaroi sot gjatë samitit për Ballkanin Perëndimor në Poznan, se Ballkanit Perëndimor duhet t’i jepet jo vetëm shpresë, por perspektivë reale për aderim në BE.
Në këtë samit marrin pjesë përfaqësues të vendeve që janë pjesë e Procesit të Berlinit, një iniciativë për të mbështetur integrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëdnimor, Mal i Zi, Serbi, Maqedoni e Veriut, Shqipëri, Bosnje Hrecegovinë dhe Kosovë, në BE.
“Jemi mbledhur këtu që të japim një mesazh të fuqishëm për të ardhmen e qytetarëve tanë, sipërmarrësve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, tha Emilewicz.
Ajo shtoi gjithashtu se “tregtia mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor është dyfishuar në 10 vitet e fundit”.
Ministrja e sipërmarrjes theksoi se “mesazhi kryesor që vjen nga samiti i Poznanit është që BE-ja është gati jo vetëm të japë shpresë, por gjithashtu perspektivë reale për zgjerimin e saj”.
Sipas ministres, Polonia dhe Ballkani Perëndimor ndajnë sfida të përbashkëta në industrinë e energjisë dhe se ka shumë mundësi për bashkëpunim në këtë sektor.