Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë rrëzuar kërkesën e kreut të KQZ-së, Klement Zguri për hetim administrativ të zgjedhjeve.
Sipas Zgurit, hetimi i propozuar prej tij ishte për të rikthyer besimin te publiku dhe për të bërë sa më transparent procesin e 30 qershorit.
“Për shkak të këtyre paqartësive deklarova që KQZ të ndërmerrte hetim administrativ. I bëj thirrje kolegëve të mi, duke besuar që kjo që po kërkoj dhe nëse biem dakord ajo që do të bëjmë ndihmon në rritjen e transparencës dhe në risjelljen e besimit të publikut në procesin zgjedhor.
Propozimin e kam në tavolinë dhe kolegët do duhet të japin mendimin e tyre qoftë edhe nëpërmjet votës. Kam gjithë të drejtën për të bërë analizën dhe për të thënë, që i gjithë procesi u vëzhgua nga 4 komisionerë të një ane.
Kam gjithë të drejtën jo vetëm unë, por gjithë të tjerët të jenë mosbesues. Procesverbalet e mbylljes së qendrave të votimit dhe listat ku kanë votuar njerëzit, ku tregohet qartësisht se sa persona kanë votuar janë dokumentat e duhura për hetimin administrativ”-tha Zguri.