Kreu i opozitës Lulzim Basha fton qytetarët të marrin pjesë në protestën e radhës, të vendosur më 8 korrik. Kryedemokrati ka shpërndarë një video me pamje nga votimet e 30 qershorit, ku thuhet se pluralizmi u vra. Sipas Bashës, 85% e shqiptarëve e refuzuan farsën e votimeve, duke iu referuar kështu shifrave zyrtare për pjesëmarrjen e zgjedhësve në votime.
“Me 30 qershor 85% e shqiptarëve refuzuan dhunimin e Kushtetutës. 85% e shqiptarëve refuzuan farsën e votimeve moniste, 85% e shqiptarëve refuzuan politikën e bërë njësh me krimin. 85% e shqiptarëve refuzuan politikat e varfërisë dhe mjerimit. 85% e shqiptarëve refuzuan vjedhjen me ligj, me PPP, me koncesione dhe oligarkë. 85% e shqiptarëve refuzuan Edi Ramën!
Të hënën #8korrik në ora 20:00 bashkohemi të gjithë në Tiranë kundër diktaturës, bashkohemi në mbrojtje të lirisë dhe pluralizmit, bashkohemi për familjet dhe fëmijët tuaj, për #ShqipëriaSiEuropa!
Asnjë hap pas! #RamaIk”, shkruan Basha.