Skema e Kategorisë së Parë me atë ndarjen gjeografike dhe tre fazat, nga të cilat e fundit, ku përgjysmohen pikët e që përfundon prej kohësh si një farsë e vërtetë, me tolerime në dritë të diellit e me emocione gjithnjë e në më pak ndeshje, më në fund do të ndryshojë.
Ankesat e vazhdueshme të të gjithë drejtuesve të klubeve të nivelit të dytë të futbollit kanë gjetur më në fund një lloj zgjidhje në vendimet e marra sot nga Komiteti Ekzekutiv.
Kategoria e Parë në sezonin 2019-2020 ka strukturën me 20 skuadra. Dy grupe A dhe B me 10 skuadra dhe luhen 2 faza të rregullta me 18 ndeshje.
Në fazën e tretë play-off për tu ngjitur në Kategorinë Superiore luajnë skuadrat e renditura nga vendi i 1( parë) deri në vendin e 4 ( katërt). Ndeshjet luhen me sistem vajtje-ardhje. Pikët e grumbulluar në dy fazat e para do të llogariten të plota në këtë fazë.
Skuadrat që renditen të para ne grupet A dhe B ngjiten menjëherë në Kategorinë Superiore. Skuadrat e renditura në vendin e 2 (dytë) në Grupet A dhe B do të luajnë ndeshje finale me një takim për të përcaktuar skuadrën e cila do të luajë ndeshje play-off me një takim me skuadrën e renditur ne vendin e (8) tete te Kategorisë Superiore.
Faza e tretë play-out që do të përcaktojë skuadrat që do të zbresin në Kategorinë e Dytë. Në këtë fazë luajne skuadrat e renditura nga vendi i 5( pestë) deri në vendin e 10 (dhjetë). Ndeshjet luhen me sistem vajtje-ardhje. Pikët e grumbulluara në dy fazat e para do të llogariten të plota në këtë fazë. Vendi i 9 (nëntë) dhe vendi i 10 (dhjetë) i grupeve A dhe B zbresin menjëherë në Kategorinë e Dytë. Vendi i 8 tetë i grupit A do të luajë ndeshje play-off me vendin e dytë të Kategorisë së Dytë, Grupi B. Vendi i 8 (tetë) i grupit B do të luajë ndeshje play-off me vendin e dytë të Kategorisë së Dytë, Grupi A.
Kategoria e Parë do të fillojë më datë 14 Shtator dhe do të përfundojë në datë 16 Maj.
Skema e Kategorisë së Parë për katër sezonet e ardhshme do të jetë:
Sezoni 2019-2020 me 20 skuadra
Sezoni 2020-21 me 18 skuadra
Sezoni 2021-2022 me 16 skuadra
Sezoni 2022-2023 me 14 skuadra
Për sezonin 2019-2020 skuadrat në Kategorinë e Parë janë të ndara në këto dy grupe:
Grupi A Grupi B
1 Kastrioti 1 Besa
2 Dinamo 2 Oriku
3 Beselidhja 3 Lushnja
4 Korabi 4 Pogradeci
5 Erzeni 5 Apolonia
6 Burreli 6 Turbina
7 Egnatia 7 Elbasani
8 Shkumbini 8 Devolli
9 Veleciku 9 Iliria
10 Terbuni 10 Shenkolli
*Shënim: Ekipet e KF Iliria dhe KF Shënkolli bazuar në kriteret e licensimit janë kaluar në grupin B për shkak se KF Ilira financohet nga Bashkia Krujë që financon njëkohësisht edhe KF Kastriotin , si dhe KF Shënkolli që financohet nga Bashkia Lezhë që financon njëkohësisht dhe KF Besëlidhjen.
Ndryshime do të pësojë edhe skema dhe struktura e Kategorisë së Dytë. Sezoni 2019-2020 do të jetë me 26 skuadra, sezoni 2020-2021 me 24 skuadra, 2021-2022 me 22 skuadra dhe 2022-2023 me 20 skuadra. Kategoria e Dytë do të fillojë më datë 21 Shtator dhe do të përfundojë më datë 16 Maj 2020.
Komiteti Ekzekutiv i FSHF miratoi krijimin e Kampionatit Kombëtar U-15, në të cilin do të marrin pjesë 20 skuadra të cilat do të jenë të ndara në dy grupe nga 10 skuadra. Ky kampionat do të zhvillojë ndeshjet në tre faza me systemin vajtje-ardhje.
Superkupa e Shqipërisë do të zhvillohet më datë 18 Gusht 2019.