Presidenti rus Vladimir Putin e viziton Romën vetëm një herë në disa vjet, por vizita e tij e fundit është bërë shkak që të zgjidhet halli kryesor i banorëve të kryeqytetit italian.
Male me mbeturina ishin grumbulluar në rrugët e Romës, saqë duke i shtuar nxehtësinë e verës ishin kthyer në rrezik për shëndetin publik.
Por në ditën e vizitës së Putinit rrugët shkëlqenin, s’ishin më mbeturinat që ua zinin frymën italianëve çdo ditë.
Duke përmendur vizitën e presidentit rus, politikania Mara Carfagna, me shaka vuri në dukje se me 196 shtete sovrane në botë, qeveria mund të motivohej t’i pastronte rrugët më shpesh, duke vendosur në axhendë nga një vizitë prej secilit prej tyre.
Megjithatë disa komentojnë se qeveria i ka marrë mbeturinat nga rrugët e Romës, thjesht për t’i hedhur diku tjetër, shkruan “RT“.
Putini e vizitoi kryeqytetin italian pas katër vitesh, duke zhvilluar një takim me Papën dhe liderët e Italisë.
Kryeministri italian Giuseppe Conte vuri në dukje se ai ishte pritur shumë ngrohtësisht kur vizitoi Moskën tetorin e kaluar dhe ishte i lumtur që u dha “një mundësi për t’ja kthyer Presidentit Putin me të njëjtën mikpritje”.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e RT/ Përshtati në shqip Hashtag.al