Pas një beteje të vështirë ligjore, mjekët francezë kanë filluar të heqin pajisjet që mbajnë në jetë një njeri, që ka qenë në një gjendje vegjetative për më shumë se një dhjetëvjeçar, një vendim që ka ndarë familjen e tij dhe ka nxitur një debat të nxehtë kombëtar.
Vincent Lambert, i paralizuar në një aksident rrugor në vitin 2008, është kthyer në një çështje politike në një rast të veçantë me persona që janë pro së drejtës për të vdekur kundrejt së drejtës për të jetuar.
Ekspertët mjekësorë thonë se Lambert është në një gjendje vegjetative të pakthyeshme dhe nuk ka shanse për t’u rikuperuar.
Gruaja e tij pretendon se ai i kishte thënë asaj para aksidentit të tij se ai nuk do të donte të mbetej gjallë në rrethana të tilla, por asnjë dëshmi me shkrim e kësaj direktive nuk ekziston.
Si rezultat, familja e Lambert ka qenë e ndarë në betejat ligjore, me gruan e tij dhe disa vëllezër e motra që kërkojnë heqjen e pajisjeve kundër nënës dhe babait të tij, të cilët këmbëngulin që ai të mbetet gjallë.
Nëna e Lambert, e cila beson se ndalimi i mbështetjes mjekësore për djalin e saj do të ishte ‘e ngjashme me torturën’, i ka bërë thirrje Presidentit Emanuel Makron. Macron, megjithatë, ka thënë se çështja duhet të vendoset nga gruaja e Lambert-it, e cila është kujdestarja e tij ligjore, dhe mjekët e tij.