Për herë të gjashtë në vetëm një dekadë dhe për herë të parë që kur vendi përfundoi me sukses programin e paketës së shpëtimit në gusht 2018, grekët do të shkojnë në votime më 7 korrik, për të zgjedhur një qeveri të re.
Kryeministri Alexis Tsipras shpalli zgjedhjet e parakohshme më 26 maj, pasi partia e tij e majtë SYRIZA mori një goditje të rëndë në votimin për Parlamentin Evropian, me 10 për qind më pak se partia konservatore Demokracia e Re (ND).
Partia kryesore e opozitës gjithashtu fitoi bindshëm në zgjedhjet lokale dhe rajonale të mbajtura në të njëjtën ditë.
Si u arrit deri këtu?
SYRIZA u zgjodh në janar 2015 dhe formoi një qeveri koalicioni me partinë populiste të ekstremit të djathtë “Grekët e Pavarur” (ANEL), bazuar në një program dhe retorikë kundër masave të kursimit. Pas gjashtë muajsh negociatash intensive me huadhënësit e Greqisë dhe një referendumi të mbajtur në korrik, qeveria firmosi një program të tretë shpëtimi dhe vendi u kthye në zgjedhje në shtator, për të vendosur nëse SYRIZA apo ND ishte më e përshtatshme për zbatimin e marrëveshjes dhe, më tej, masat shtrënguese.
SYRIZA fitoi dhe formoi përsëri një qeveri me grekët e pavarur. Ky koalicion zgjati deri në janar 2019 kur ANEL u largua nga qeveria, për shkak të kundërshtimit ndaj Marrëveshjes së Prespës. Kjo marrëveshje midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut (atëherë Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë) u kritikua rëndë në Greqi, veçanërisht në rajonin verior të Maqedonisë.
ND, nën udhëheqjen e Kyriakos Mitsotakis, gjithashtu kundërshtoi fort këtë marrëveshje, dhe disa nga deputetët e saj më të spikatur u bashkuan me demonstratat kundër saj. Mitsotakis tha gjithashtu se ai do të vërë veton ndaj një përpjekjeje të Maqedonisë Veriore për të hyrë në Bashkimin Evropian nëse vjen në pushtet.
Pse i humbi zgjedhjet evropiane SYRIZA?
Komentatorët besojnë se humbja e SYRIZA-s në zgjedhjet e BE është rezultat i faktit që partia humbi kontaktin me klasën e mesme, për shkak të tepricave primare që vendi arriti si pjesë e programit të shpëtimit – që buron nga taksimi i shtuar, dhe jo nga rritja ekonomike.
Klasa punëtore, mbi të cilën SYRIZA u mbështet fuqimisht gjatë zgjedhjeve të 2012 dhe 2015, gjithashtu duket se i ka kthyer shpinën partisë në pushtet, pasi ajo nuk arriti të zbusë efektet e liberalizimit të tregut të punës. Rënia e vazhdueshme e shkallës së papunësisë dhe rritja e pagës minimale mujore në 650 euro, duket se nuk kanë qenë të mjaftueshme.
Programet e partive
Këto zgjedhje shihen gjerësisht si një garë për votat e klasës së mesme – avokatë, mjekë, mekanikë, punonjës të kualifikuar dhe nëpunës publikë – shumë prej të cilëve thonë se kanë mbajtur barrën e krizës ekonomike, pa asnjë ndihmë nga SYRIZA.
Këto kohë, sipas OECD, nëntë nga dhjetë familje të klasës së mesme në Greqi kanë vështirësi serioze në përmbushjen e nevojave të tyre bazë. Shtatë në dhjetë individë të anketuar thonë se nuk mund të përballojnë shpenzime të paparashikuara.
Pas pothuajse tre vitesh opozitë të fortë, ND ka zbutur retorikën e saj dhe po përqëndrohet në rritjen ekonomike dhe sigurinë. Mitsotakis premton investime të reja, taksim më të ulët, punë më të paguar dhe më shumë policë në rrugët e qyteteve të mëdha.
Nga ana tjetër, Tsipras dhe SYRIZA pretendojnë se tani janë më në fund në gjendje të zbatojnë programin e tyre, pa barrën e koalicionit me Grekët e Pavarur dhe atë të Marrëveshjes. Ata pretendojnë se Mitsotakis dëshiron të zbatojë një javë pune shtatë-ditore dhe të liberalizojë më tej tregun e punës, së bashku me reduktimin e numrit të nëpunësve publikë.
Çfarë thonë sondazhet?
Sipas sondazheve të fundit, Demokracia e Re ka një avantazh prej 9-12% por një nga pyetjet kryesore përpara votimit, është nëse do të jetë në gjendje të formojë një qeveri pa patur nevojë për partnerë koalicioni. Mendohet se Kyriakos Mitsotakis dhe ND do të arrijnë të fitojnë më shumë se 151 vendet e nevojshme parlamentare, teksa numri i saktë varet prej partive që do të hyjnë në parlament.
Siç tregon shumica e sondazheve, numri i partive që arrijnë të kalojnë pragun parlamentar prej 3% varion nga pesë në shtatë. ND dhe SYRIZA vijnë e para dhe e dyta respektivisht, pasuar nga Lëvizja Social-Demokrate për Ndryshim (ish PASOK + aleatët), Partia Komuniste dhe Agimi i Artë ultranacionalist. Zgjidhja Greke e ekstremit të djathtë dhe Lëvizja Demokracia në Evropë 2025 (DiEM25) e udhëhequr nga ish-ministri i financave, Yanis Varoufakis, po ashtu po konkurrojnë, por nuk mund të sigurojnë 3% të votave të nevojshme për të hyrë në parlament.
A është i pashmangshëm koalicioni?
Në rast se Demokracia e Re nuk arrin të formojë një qeveri dhe negociatat midis palëve nuk japin fryte, Greqia ka shumë të ngjarë të shkojë në votime përsëri në gusht.
Në atë rast, zgjedhjet do të zhvillohen me një sistem të thjeshtë përfaqësimi proporcional, dhe pa bonusin prej 50 vendesh për partinë e parë, gjë që e bën një koalicion pothuajse të pashmangshëm për të arritur formimin e një qeverie.
VINI RE: Shkrimi është pronësi intelektuale e “Euronews”, përshtati “Bota.al”