Rudina Hajdari pas ankesës së një dite më parë se nuk e lanë të ishte e pranishme në Tropojë, ia del së paku të takojë kongresmenin amerikan Eliot Engel.
“Zoti President dhe zoti Besnik Dushaj, kur të jeni sot para bustit të tim eti në Tropojë, duke u hequr si pro-Amerikan të thekur, mos harroni t’i thoni tim eti që fëmijët e tu nuk janë këtu se kështu urdhëroi Partia. Mua më ndaluat të vi në Tropojë, por në Kosovë jo.
Rrugë të mbarë.”, shkruante Hajdari, për udhëtimin e presidentit Ilir Meta me kongresmenin drejt Tropojës.
Por më pas, Hajdari është takuar me Engel, duke u përqafuar përzemërsisht.
“Një falenderim të veçantë për Kongresmenin Eliot L. Engel që nderoi sot figurën e Azem Hajdarit dhe kontributin e tij sublim për një Shqipëri Demokratike dhe Evropiane.”, shkruan Hajdari.
Nuk dihet nëse Hajdari e ka nxjerrë këtë pretendim si justifikim për të mos qenë në Tropojë në krahë të presidentit të vendit, por deklarata e saj është ironizuar edhe nga ish-deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj.
“Amerikania Hajdari kërkon ftesë për të vënë një buqetë me lule tek shtatorja e babait të saj në Tropojë. Ne kujtuam se ishte nga Tropoja, por ajo qenka një amerikane e vertetë e cila nuk mund te shkojë në Tropojë për të nderuar babain e saj pa marrë më pare “autorizim”. Kjo po çmend dynjanë!”, shkruan Mehmetaj.
Hajdari ka patur disa përplasje me Presidencën, duke i kujtuar Metës bashkëshorten, ndërsa këshilltari i presidentit, kalimin e vettingut të nënës së saj, gjyqtare.