Vendosni fjalën kyçe....

Epifania e Erion Veliajt


Alias-Autor: Jozef Shvejk

Në mesverë, ndërsa pjesa dërrmuese e shqiptarëve fillon atë nëpërkëmbje bregdetare që quhet pushime vere, apo sikletoset pasi nuk ia del të paguajë çmimin e ca ditëve plazhi masiv, media e mirëfinancuar investigative Balkan Insight, boton në faqe të parë një intervistë ekskluzive me delfinin e Bashkisë që pllaquritet në rezervatin lokal të Kryeministrit tonë global. Ekzemplari i përkëdhelur nga fati, i përqafuar nga fëmijët, i bekuar nga pastorët e i dashur për mediat nuk është askush tjetër përveç Erion Veliajt, minionit të kryeministrit.

Intervista e lustruar me lëpirje deri në neveri nga ana e një organi “ndërkombëtar” shtypi, derdhja e superlativës në favor të atij që konsiderohet, pa asnjë masë mbrojtëse ndaj sëmundjeve politikisht të transmetueshme si “ylli në rritje” i Shqipërisë, është një njollë turpi për institucionin e gazetarisë investigative të degraduar përfundimisht në një kurtizan të gërbulët oborri.

Veliaj, biri i parëlindur dhe kanakari i mëkëmbësve ndërkombëtarë, lartësohet drejt qiejve evropianë si shpëtimtari i ardhur mes nesh, plotësisht i brumosur, por akoma në fryrje e sipër, pikërisht kur “BE-së i ka përfunduar oreksi për t’u zgjeruar”.

Apologjetikisht Balkan Insight na informon pa asnjë qime në gjuhë se kohë më parë, para fillimit të misionit të tij mesianik, Veliaj ishte “…një analist politik për një think-tank Europian të bazuar në Berlin, European Stability Initiative”.

Shqiptarët prej vitesh bombardohen me hagiografinë e Erion Veliajt; e dimë thuajse përmendësh mrekullinë e tij me fiq te Pazari i Ri, eksodin e tij personal që përfshin kalimin e maleve për të siguruar bukën e gojës, teofaninë e Mjaftit kur tre djem të thjeshtë në fillim të mijëvjeçarit të ri, panë një ëndërr sublime. Monomitin lalieresk e përmbyll riti martesor i Kalasë së Gjirokastrës, ku Mesia u bë zëvendës-mbret duke lidhur kurorë me një princeshë të kishës së tij, me shpenzime publike e me bekimin privat të pastorit, i cili pastaj mrekullisht rilindi zëvendësministër për tu transfiguruar si kryetar këshilli bashkiak të Jeruzalemit të çliruar, ups, Tiranës së rilindur.

Por sot, falë kortezisë së një medieje prestigjoze investigative të financuar nga jashtë, u njohëm me njërën nga fazat e larvës në udhëtimin drejt fluturës më të bukur në herbariumin e politikës shqiptare – periudhën më pak të njohur kur Veliaj punonte si analist politik të një Think-Tank gjerman me bazë në Berlin.

Kjo shfaqje e beftë e analistit evropian në jetëshkrimin e Lali Erit nuk është e rastësishme. Veliaj do të ndërtojë imazhin e europianistit “që duam”. Ai u tregon shqiptarëve se Mesia e tyre e ka fort përzemër BE-në, madje e deshi aq shumë sa edhe vitet më të bukura të rinisë ia dha think-tankut gjerman që të shpëtojë e të bekojë proçesin e integrimit.

Kjo vërehet qartë në intervistë, ku shpëtimtari ynë përmend Evropën tri herë rresht:

“Është fjala për të ndërtuar një kulturë evropiane këtu. Qëllimi im është për të shndërruar këtë qytet në një pjesë të Evropës, ku njerëzit mund të argëtohen, ku njerëzit duan të lëvizin. Fakti është se Tirana është një vend ëndrrash për shumë të rinj e kjo më ka bindur se duhet ta mendojmë Evropën si një destinacion në vetvete.”

Vëreni se si Veliaj do ta “konvertojë” Tiranën nga një një vendbanim të harruar jashtë Evropës në një destinacion pelegrinazhi evropian. Eshtë Veliaj që sjell Evropën në Tiranë, është ai lidhja që përçon dhe shpërndan energjinë kulturore evropiane në Tiranë, është ai mbartësi i çelësit që hap parajsën e integrimit.

Për t’i shërbyer pa asnjë kompromis propagandës laliereske, intervistuesit e Balkan Insight, kthejnë vëmendjen mbi “të metat” e Shqipërisë. Tregojnë një Tiranë (pra për një Shqipëri) me shumicë dërrmuese myslimane. Këtu paqtuesit Veliaj i jepet mundësia të na tregojë se si e qysh shqiptarët jetojnë në paqe e cila shtrihet si mes individëve, ashtu dhe midis komuniteteve fetare. Me këtë rast, ai ngre gishtin të na tregojë multikulturalizmin e BE-së, që pluskon diku lart, në qiellin e yjësuar të integrimit. Toleranca fetare, kur të gjithë të shkojmë në parajsën me seli në Bruksel, do rilindë si multikulturalizëm. Pavarësisht se BE-së sikur i ka ikur oreksi.

Më tej intervista-zbulesë rrëfen historinë e një Shqipërie diktatoriale të armiqësuar me Evropën dhe Perëndimin. Për veteranët që flasin për këtë Shqipëri, Veliaj shprehet se ata janë në ikje e sipër, se askush nuk e flet më gjuhën e tyre. Ky është i njëjti Veliaj i cili dy vjet më parë nderonte me shall pioneri varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Në fund intervista prek një element tjetër interesant. Duke qenë se Veliaj është djali i mirë që ka ngjitur me djersë shkallët e karrierës politike, shkrimi nuk harron të theksojë angazhimin e tij me protestat dhe shoqërinë civile. Jo vetëm kaq, por intervistuesit shprehen se vetë kryebashkiaku ka qenë organizator protestash dhe nënvizojnë se ai nuk është kundër tyre. Hagiografët e Balkan Insight citojnë Veliajn me një hov revolucionar që do zverdhte nga zilia edhe vetë Librin e Kuq të Maos: “Protesta është gjëja më e shëndetshme në demokraci, ajo vaksinon institucionet demokratike, i jep mundësi publikut të shprehet për gjërat që nuk bie dakord.” Ironikisht Veliaj është shprehur ndryshe për protestën tek Teatri Kombëtar që zgjat prej thuajse 2 vjetësh.

Dhjata e Re që Balkan Insight ka shkruar për Erion Veliajn është treguesi i qartë i shfaqjes së Birit në Fronin e Atit. Ajo është dëshmia e rotacionit që nisi ditën kur Edi Rama hyri në sallën e një Këshilli Bashkiak të dalë nga votimet monopartiake të 30 qershorit. Ajo mbart bekimin prej së larti për Mesian e Sorosit në Tiranë, i cili nuk mori thjesht kumtin nga njëri prej dorëzanësve të tij lokalë, por tanimë lajmin e mirë nga vetë kumbari kryesor.

Mesia surrogat, që qeveris surrogatin e një kryeqyteti, nëpërmjet surrogatit të një medieje investigative, tashmë bëhet gati të na blatojë surrogatin e një kryeministri.

VINI RE: Autori shkruan në rrjete sociale, me pseudonim. Hashtag.al publikon sporadikisht shkrime anonimati, kur përmbajtja dhe argumentimi prevalon mbi identitetin dhe kur shkrimi nuk përmban qëndrime që cënojnë integritetin e një personi ose të një institucioni.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *