Vendosni fjalën kyçe....

Gazetari grek pyet Metën çfarë di për planet e Sorosit në Shqipëri


Pasi Fondacioni për Shoqërinë e Hapur, apo siç njihet ndryshe Fondacioni “Soros” i quajti deklaratat e tij “të çuditshme”, presidenti Ilir Meta nuk tërhiqet nga fjalët që ka thënë mbi ndërhyrjen e këtij fondacioni në vend.

“Folët për një plan instalimi të një junte që ka si qëllim krijimin e shtetit paralel në Shqipëri dhe në Kosovë, dhe përcaktuat si ‘’njeri të përshtatshëm‘’ për të, Edi Ramën, dhe frymëzues, Xhorxh Sorosin. Çfarë dini konkretisht për këtë plan?”, ishte pyetja që iu drejtua presidentit shqiptar gjatë një interviste për gazetën greke “Kathimerini”.

Meta tha se një grup i strukturuar, që praktikon taktika të një shteti paralel është duke synuar dhe kërkuar kapjen totale të shtetit në Shqipëri, duke u shërbyer axhendave të fshehta.

Meta nuk zbuloi më shumë nga sa ka deklaruar më parë, por shtoi se shqiptarët nuk do të pranojnë kurrë të jenë koloni të pastrimit të parave dhe krimit të organizuar.

“Unë thjesht e kam gërmëzuar qartë dhe saktë se si një grup i strukturuar, që praktikon taktika të një shteti paralel është duke synuar dhe kërkuar kapjen totale të shtetit në Shqipëri, gjë që u shërben axhendave të fshehta.

Është e qartë se këto axhenda nuk janë gjë tjetër, veçse në mospërputhje me anëtarësimin tonë në NATO, me procesin tonë të integrimit në BE, ose edhe me partneritetin tonë strategjik me SHBA-në.

Demokracia dhe sundimi i ligjit gjenden në zemër të këtyre marrëdhënieve dhe si të tilla, ato kurrë nuk do të jenë subjekt për negociata.

Shqiptarët e sinqertë dhe punëtorë nuk do të pranojnë kurrë të jenë koloni në shërbim të pastrimit të parave dhe të krimit të organizuar ndërkombëtar. Ata kurrë nuk do të pranojnë të keqpërdoren si shkak për turbullira në një rajon ku ata kanë qenë historikisht më të paqtët, megjithëse kanë kaluar vuajtje të tmerrshme. Shqiptarët e kanë bërë zgjedhjen e tyre, për t’u bashkuar me NATO-n dhe Bashkimin Europian. Askush nuk mund t’ia ndërrojë rrugëtimin këtij projekti strategjik. Kjo duhet të jetë e qartë!”, janë fjalët e presidentit.

Kujtojmë se pak ditë më parë, Ilir Meta e akuzoi fondacionin e “Sorosit” për ndërhyrje në zhvillimet e brendshme në Shqipëri, kryesisht reformën në drejtësi.

Meta akuzonte George Sorosin, se qëndronte pas “një komploti të kurdisur prej kohësh për të ushqyer përplasjen civile më 30 qershor, si dhe për të ndikuar reformën në drejtësi”.

Por shefja e zyrës së komunikimit të fondacionit “Soros” me seli në New York, Laura Silber, tha për “Zërin e Amerikës” se deklaratat e presidentit shqiptar ishin “të çuditshme”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *