Një shkencëtare amerikane është zhdukur në ishullin e Kretës prej gjashtë ditësh. “CNN” shkruan se autoritetet greke kanë nisur hetimet për gjetjen e amerikanes, Suzanne Eaton, një biologe 59-vjeçare.
Eaton punonte në Institutin Max Planck në Universitetin e Drezdenit në Gjermani dhe po merrte pjesë në një konferencë në Akademinë Ortodokse në Kretën Veriperëndimore, ku u pa më 2 korrik.
Ajo besohet të ketë shkuar për një vrap kur u zhduk. Familja e saj kanë hapur një faqe në “Facebook”, të quajtur “Kërkimi për Suzanne”, duke kërkuar ndihmë për gjetjen e saj.
Të gjitha sendet e Eaton kanë mbetur në dhomën e saj, duke përfshirë pasaportën, portofolin, telefonin, paratë në cash dhe këpucët e çiklizmit. Megjithatë këpucët e saj të vrapimit mungojnë, sipas faqes së hapur nga familjarët.
“Për shkak të terrenit të ashpër dhe nxehtësisë ekstreme, ne besojmë se me shumë gjasa Suzanne mund të jetë mbinxehur dhe kërkuar për ndonjë hije ose mund të jetë rrëzuar”, thuhet në një postim të familjarëve.
Eaton është nëna e dy djemve dhe gruaja e shkencëtarit britanik Tony Hyman.
Instituti Max Planck ku Eaton punon, përsëriti në një deklaratë online se të gjitha teoritë ishin “spekulative” dhe fakti i vetëm që dihet është se Suzanne Eaton u pa për herë të fundit në konferencë të martën pasdite.
Ndërsa pranoi se skenari “më i mundshëm” ishte se ajo kishte shkuar për të vrapuar, instituti shtoi: “Ka shumë vëzhgime që sfidojnë një teori të tillë, duke përfshirë edhe nxehtësinë e ditës, ku notimi do të ishte më tërheqës.”
“Përveç faktit që është një shkencëtare kryesore në fushën e saj, Suzanne është një atlete, vrapuese dhe mbajtëse e rripit të zi në Tae Kwon Do. Nëse dikush mund të gjejë rrugën për të dalë nga një situatë e vështirë, ajo është Suzanne.”, thuhet në deklaratë.
Miqtë e Eaton kanë ofruar një shpërblim prej 50,000 eurosh për këdo që mund të japë ndonjë informacion rreth zhdukjes së saj.
Deri të hënën pasdite, fushata “Kërkimi për Suzanne” kishte ngritur më shumë se 30,000 dollarë për të paguar për ekipet e kërkimit dhe shpëtimit në Kretë.