Vendosni fjalën kyçe....

Udhëzuesi Pervers drejt Dikaturës


Alias-Autor: Jozef Shvejk

Sa më poshtë është manuali i OJF-së “Closed Society Foundation Albania”. Çdo përngjasim me realitetin shqiptar është produkt i fantazisë së lexuesit.

Preambul:

Vendi juaj ka dalë nga diktatura më e egër staliniste, qytetarët e vendit tënd janë njerëzit më të varfër në rajon dhe kontinent. Pas disa sekondash demokracie dhe mbi dy dekadash tranzicioni, ju më në fund po arrini të kuptoni që demokracia e vërtetë zgjat sa një pulitje qepallash, se zgjedhjet e lira janë të tilla vetëm kur blihen lirë, se Shqipëria kushton pak për atë që di ta shesë, se pushteti ekzekutiv dhe gjyqësor janë pak a shumë e njëjta gjë, por ne do t’i trajtojmë ndarazi, se po i futëm në një thes nuk ka lezet tek të huajt.

Kjo është koha e duhur që ju të futeni në lojë për të shndërruar me butësi demokracinë tranzitore jo fort funksionale në një diktaturë totalisht funksionale.

Për t’ia dalë mbanë, ndiqni hapat e mëposhtëm:
A. Sigurohuni që Partia që ju do aderoni (apo krijoni) të jetë e lidhur me një NGO të fuqishme ndërkombëtare.
B. Sigurohuni që individë të financuar nga kjo NGO të jenë nesër në poste kyçe.
C. Shfrytëzoni çdo hapësirë dhe sakrifikoni sa më shumë nga paratë e donatorëve. Mos u kurseni. Ata do t’ju ruajnë një kopje të faturës për çdo cent që keni vjedhur dhe ju do t’ju jeni përjetësisht mirënjohës.

Pas këtyre kushteve jeni të lutur të ndiqni manualin e udhëzimeve si më poshtë:

1- Meqë vendi juaj është një republikë bananesh dhe ju jeni thjesht majmunë pa bisht që jetojnë në një protektorat të maskuar si vend sovran, sigurohuni që të emëroni si guvernator (pra ambasador) një njeri të lidhur me NGO-në mëmë të Shoqërisë së Mbyllur. Guvernatori do të duhet për të ndërmarrë punën më të vështirë në vendin tuaj dhe për të bindur qytetarët e vendit tënd se reforma që ju keni ndërmend të merrni do të jenë të dhimbshme por të dobishme për t’u kthyer me sukses nga një demokraci jofunksionale në një diktaturë që funksionon për bukuri.

2- Ngrini një grup pune për të ndërmarrë Reformën në Drejtësi. Siç e dimë nga shkencat politike, një demokraci funksionale nuk është e tillë deri në ditën që qeveria nuk e pastron atë nga korrupsioni. Vetëm kur qeveria të emërojë gjyqtarët dhe prokurorët e saj, Pushteti Gjyqësor do të jetë i pakorruptuar.

3- Përdorni OJF-të në pushtetin tuaj si qeveri dhe të ambasadorit për të vendosur nën presion opinionin publik për rëndësinë e Reformës në Drejtësi. Luftoni kundër opozitës, që përherë ka skeletë në dollapë (si çdo opozitë e botës). Krijoni sondazhe të rreme dhe fryni artificialisht skandalet me drejtësinë që të krijohet domosdoshmëria e reformës. Përdorni stilin leninist ndërsa flisni për shpëtimin që Reforma do t’i japë atdheut dhe halleve të shqiptarëve.
Këtu përfundon Faza e I-rë, me votimin e Reformës dhe përgatitemi në Fazën II:

4- Shkatërroni institucionin më të lartë Kushtetues në vend (Gjykatën Kushtetuese), pastaj kaloni tek Gjykata e Lartë. Gjatë këtij procesi sigurohuni që të evidentoni pasurinë marramendëse dhe korrupsionin galopant të gjyqtarëve në këto gjykata. Përpiquni që procesin ta orientoni drejtë drejtësisë së turmës dhe jo ligjit. Sigurohuni që ti thoni qytetarëve tuaj se “çliruat djepin nga shejtani”, një djep bosh është një mundësi për shejtanin më të madh. Vendet demokratike tentojnë të kenë sundimin e ligjit ndërsa vendet e demokracisë funksionale, siç edhe juve doni të shndërroheni, duan ligjin e turmës të prevalojë.

5- Zhdukni nga qarkullimi Prokurorinë e Përgjithshme dhe krijoni një krijesë amorfe pa seks, ngjyrë, shije apo formë që do ta bekoni si të Përkohshme me shpresën që do të jetë e Përhershme. Angazhoni njeriun më pak të përgjegjshëm pranë jush për të gjetur një njeri që i përmbush këto kritiere. Në garën për PPP angazhohuni që të zgjidhni kandidatin/en që përmbush më shumë nga kushtet e lartë përmendura.

6- Nëse në një moment nuk arrin të gjesh klauzolën ligjore për të bindur qytetarët ktheju për ndihmë OJF-së (lexo Manualin për një OJF të suksesshme). Ajo do të garantojë që njeriu i duhur në vendin e duhur të paraqesë zgjidhjen e duhur për qëllimin tënd përfundimtar.

7- Tani jeni një hap përpara se të ktheni vendin nga një demokraci jofunksionale në një diktaturë që funksionon mirë. Nisni forcimin tuaj ekonomik duke hequr qafe kriminelët e kundërshtarët për të forcuar vetëm të tutë. Voto në Kuvend ligje me emër edhe mbiemër biznesmeni duke i paraqitur si interes kombëtar.

8- Çdo kundërshtar apo çdo media që ende nuk ke mundur ta blesh nxirre jashtë ligji përmes ligjeve të miratuara në Kuvend. Me mungesën e një Gjykate Kushtetuese je ti njeriu më i fortë në vend.

9- Opozitën politike shantazhoje dhe kërcënoje me ndëshkime dhe dënime nëse nuk i bindet vullnetit tënd. Mirato ligjin antishpifje dhe dënoje si shpifës këdo që të kundërshton. Mos harro! Nëse dikush kundërshton, ai shpif.

10- Një Demokraci Funksionale (ose Multifunksionale) nuk mund të vijë nëse nuk zhvillohen votime një partiake që njihen publikisht nga Guvernatori si “zgjedhje demokratike”.

11- Urime. Ke arritur të shndërrosh një vend në Diktaturë Funksionale. Tani je ti e vërteta, gjykata, prokuroria, fjala e lirë dhe policia.

Shënim: Ky është një ripostim me ndryshimet e nevojshme dhe vitale lidhur me situatën.

VINI RE: Autori shkruan në rrjete sociale, me pseudonim. Hashtag.al publikon sporadikisht shkrime anonimati, kur përmbajtja dhe argumentimi prevalon mbi identitetin dhe kur shkrimi nuk përmban qëndrime që cënojnë integritetin e një personi ose të një institucioni.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *