Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka mbajtur një takim informal me strukturat e Partisë Demokratike në Fier, ku diskutuan për zhvillimet politike.
Gjatë takimit Basha huazoi nga mediat botërore togfjalëshin ‘protestues proeuropianë’, që ata po e përdorin së fundmi për mbështetësit e opozitës, në mënyrë qe të tregojë ndryshimin me Edi Ramën.
“Protestat tona janë europiane dhe për Shqipërinë si gjithë Europa. Edhe mediat ndërkombëtare, së fundmi, na u drejtuan si protestuesit pro-europianë. Meritë të jashtëzakonshme për këtë ka bashkimi i qytetarëve, që ka ngjallur shpresën për ndryshim”-tha Basha
Duke vënë dukje gjendjen shumë të vështirë ekonomike të qytetarëve të zakonshëm, lideri i opozitës tha në Fier se PD duhet t’i dalë për zot vendit, të rrisë mbështetjen e saj tek ai 85 përqindësh që refuzuan regjimin e Edi Ramës, duke treguar se PD, njësoj si ata, kërkon ndryshimin e vërtetë.
“Kjo nuk është një betejë për pushtet personal. Nuk jemi në betejë për karriget tona, por për të mbrojtur interesin publik, për ndryshimin rrënjësor të sistemit, që e keqja që solli Edi Rama, të mos përsëritet më kurrë”-deklaroi Basha.