Fëmijë dhe gra shtatzëna janë në mesin të vrarëve në një masakër fisnore që ka ndodhur në zonën malore të Papua Guinesë së Re.
“BBC” shkruan se të paktën 24 njerëz janë konfirmuar të vdekur pas një dhune brutale që shpërtheu midis fiseve rivale për disa ditë në provincën Hela. Disa raporte thonë se numri i vdekjeve është akoma më i madh se 24.
Kryeministri James Marape reagoi pas ngjarjes duke thënë se “kjo është një nga ditët më të trishtta të jetës sime”. Ai premtoi se do gjendeshin autorët e masakrës.
Ky është një nga shpërthimet më të këqija të dhunës mes fiseve në Papua Guinenë e Re për vite me radhë.
Motivi për vrasjet ende nuk dihet. Megjithatë, për më shumë se 20 vjet në rajon kanë ndodhur përplasje të ngjashme në disa klane.
Si ndodhën vrasjet?
Të dielën shtatë veta – mes të cilëve katër burra dhe tre gra – u vranë në fshatin Munima. Pastaj të hënën, 16 gra dhe fëmijë u vranë në fshatin Karida, tha EMTV. Dy nga gratë ishin shtatzënë.
Departamenti i Shëndetit në Hela ka publikuar disa fotografi në “Facebook” nga masakra në fshatin Karida.
Fotografitë tregojnë një rresht me trupa të mbështjellë me rroba dhe të lidhur. Zyrtari i këtij departamenti tha se disa prej tyre ishin copëtuar dhe pjesët e trupit të tyre ishin të vështira për t’u dalluar.
Kryeministri Marape, i cili është nga kjo zonë, tha se vrasjet ndodhën nga persona të armatosur të fiseve Hagui, Okiru dhe Liëi dhe u zotua se do të kërkonte dënimin e personave përgjegjës.
Provincat malore të Papua Guinesë së Re janë shumë të largëta. Komunitetet janë ende të bazuara në traditat fisnore dhe shumë fshatra të vegjël nuk kanë pasur kurrë lidhje rrugore.
Përleshjet fisnore nuk janë të pazakonta shpesh të nxitura nga përdhunimi, vjedhja, ose mosmarrëveshjet mbi kufijtë fisnorë.
Gjatë viteve të fundit, fluksi i armëve automatike ka bërë që përleshjet të kthehen në më vdekjeprurëse.