Florjan Binaj nuk është vetëm ai që bën gjithmonë humor siç jemi mësuar ta njohim përmes ekranit.
Përkundrazi, kur bëhet fjalë për disa çështje ai kushton gjithë seriozitetin dhe rëndësinë e duhur.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, aktori ka denoncuar një fenomen të shëmtuar që po ndodh në zonën e Himarës.
Muret e pjesës së vjetër të qytetit dhe kalasë janë “pushtuar” nga shkrimet në greqisht si “Himara është Greqi”.
Binaj i bën thirrje Ministrisë së Turizmit, të ndërhyjë urgjentisht ndërsa i kujton ministrit se nëse kjo do të ndodhte në Greqi, do të quhej një incident i rëndë diplomatik.
“Një turp i madh që në mes të sezonit turistik, askush nuk bën asgjë për të fshirë këto shkrime ofenduese si: Himara është greqi dhe epir, në muret e kalasë së Himarës…Min e Turizmit si je? Nëse shkrime të tilla do bëheshin në Greqi do quhej incident diplomatik…kur bëhen në Shqipëri quhet sezon turistik…TURP!”, shkruan Binaj krahas fotove ku shfaqen mbishkrimet e shëmtuara.
Kujtojmë se aktori ka bashkëpunuar më parë me ministrin Blendi Klosi, për spotin aq shumë të kritikuar ku i bën thirrje Liam Neeson të vizitojë Shqipërinë, duke përdorur sloganin “Taken by Albania”.
Por ky bashkëpunim duket nuk e pengon atë të bëjë kritikat e tij ndaj Ministrisë së Turizmit, për neglizhencën e treguar ndaj monumenteve kulturore.