Kreu i PD-së, Basha, ka premtuar uljen e çmimit të karburantit dhe të energjisë elektrike me ardhjen në pushtet të opozitës.
Gjatë takimit me mbështetësit e opozitës në Selenicë, Basha theksoi se votimet e 30 qershorit ishin antiligjore dhe antikushtetuese dhe si të tilla nuk do njiheshin.
Ai theksoi se 85% e shqiptarëve nuk duan thjesht ndërrimin e partive në pushtet por ndryshimin që i jep fund njëherë e mirë tranzicionit 30-vjeçar.
‘85 perqind e shqiptarëve refuzojnë regjimin e Edi Ramës dhe duan ndryshimin. Ata duan jo thjesht të ikë një parti dhe të vijë një tjetër, por duan ndryshimin e vërtetë, që i jep fund tranzicionit 30 vjeçar. Ne nuk jemi në betejë për karriget tona, por për të mbrojtur interesin publik, për ndryshimin rrënjësor të sistemit, që e keqja që solli Edi Rama, të mos përsëritet më kurrë.’ – tha Basha.
Më tej ai theksoi se me ardhjen e PD-së në pushtet do kishte ulje çmimesh në sektorë të rëndësishëm si karburantet dhe energjia elektrike.
‘Klasifikim si biznes i vogël për xhiro nën 140 milionë lek të vjetra në vit, 0.5% taksë e xhiros vjetore si e vetmja taksë për biznesin e vogël, ulje e çmimin të naftës me 300 lekë për litër e ulje deri në 20% e çmimit të energjisë.’ – shtoi Basha.