Pasi ministrja e Financave, Denaj, tha se lajmi i shpërndarë për rritjen e çmimit të karburantit ishte i pavërtetë, ka ardhur reagimi nga Partia Demokratike.
Denaj shkruante në faqen e saj në ‘Twitter’ se rritja e çmimit të karburantit për të cilin flet kreu i PD-së, Basha, është produkt i fantazisë.
‘Kur e humbet debatin, i humburi kapet pas sajesave! Kjo m’u kujtua duke dëgjuar Lulzim Bashën që flet për rritje të taksës së karburantit. Një tjetër produkt i një fantazie gjithnjë e më shumë për të ardhur keq! S’ka rritje taksash, s’ka taksa të reja!’ – shkruan Denaj në ‘Twitter’.
Ndërkohë deputeti demokrat, Agron Shehaj, ka publikuar në faqen e tij në ‘Facebook’ një dokument, sipas të cilit tregohet rritja që do i bëhet çmimit të karburantit.
‘Qeveria mashtron qytetarët duke mohuar taksën e re mbi naftën. Ligji i ri parashikon shprehimisht që burimi financiar i agjencisë mbi menaxhimin e rezervave të naftës do të jetë: ‘Tarifat e krijimit dhe mbajtjes se rezervës se sigurisë që aplikohen mbi sasitë e produkteve energjetike hidrokarbure që shiten në Republikën e Shqipërisë…’ dhe ‘Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, vendos tarifat e përmendura në pikën 1.1…’
Rama bën lojra fjalësh. Edhe taksën prej 5 eurosh të Rrugës së Kombit e quajti tarifë por pak rëndësi ka si e quan.
E vërteta është që kemi të bëjmë me taksën e radhës për shërbime të panevojshme, që nuk ka për qëllim rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve por vetëm një mënyrë të re për të pasuruar veten dhe miqtë e tij oligarkë në kurriz të popullit me të varfër në Europë.’ – shkruan Shehaj në ‘Facebook’.