Vendosni fjalën kyçe....

OSBE kritikon ligjin anti-shpifje: Bllokimi i publikimit në internet shkelje e lirisë së shprehjes


Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir publikoi sot një raport ligjor, pjesë e të cilit  janë pasqyruar sugjerime dhe këshilla për mënyrën se si duhet të jetë qasja e medias, por edhe roli që duhet të luajë AMA në tregun mediatik në Shqipëri.

Paketa “antishpifje” e propozuar nga Këshilli i Ministrave për mediat on-line duket se ka marrë një “goditje të fortë” nga sugjerimet e publikuara nga OSBE-ja, e cila tregon edhe rastet dhe kushtet se kur një publikim elektronik duhet konsideruar në shkelje të rregullave morale dhe ligjore.

Sipas OSBE-së, vendimi për pezullimin e publikimeve të shkrimeve në internet konsiderohet si një masë ekstreme kundër lirisë së shprehjes. Paketa antishpifje është kundërshtuar ashpër nga ana e opozitës, e cila e ka cilësuar këtë nismë të re të kryeministrit si strategji për t’iu mbyllur gojën mediave kritike.

Këshilla nga OSBE-ja:

Analiza ligjore thotë se rregullimi i versioneve elektronike të medias së shkruar, dhe më gjerë i “ofruesve të shërbimeve elektronike të botimit” nuk duhet të jetë i njëjtë me atë të shërbimeve të mediave audiovizive.

Rekomandohet që të përjashtohen nga fushëveprimi i këtij projektligji. Përfaqësuesi kujtoi se bllokimi ose pezullimi i botimeve në internet konsiderohet një masë ekstreme e shtetit kundrejt të drejtës së lirisë së shprehjes dhe për këtë arsye pranohet nga standardet ndërkombëtare vetëm në rastet e shkeljeve shumë serioze të të drejtave të njeriut ose parimeve demokratike, ose kur masa të tjera nuk mund të zbatohen.

Përfaqësuesi vuri në dukje se kompetencat e AMA-s lidhur me “bllokimin e përkohshëm / kufizimin e aksesit në internet” mund të zbatohen vetëm në tre rastet e qarta të përcaktuara në ligj: pornografia e fëmijëve; inkurajimin e akteve terroriste; dhe shkeljet e sigurisë kombëtare dhe kur masat e tilla konsiderohen si të nevojshme dhe proporcionale, duke marrë parasysh ekzistencën e një rreziku të afërt.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *