Dy persona janë arrestuar në Fier për kanosje e shantazh me qëllim përftimi. Të arrestuarit janë shtetasit me inicialet G.M, 44 vjeç dhe J.Sh, 46 vjeç, të dy banues në Cakran.
Pas një hetimi disa javor, dy personat u arrestuan pasi dyshohet se kanë shantazhuar dhe kërcënuar një grua, duke i kërkuar asaj para dhe favore seksuale me qëllim që mos t’i publikonin në rrjetet sociale disa foto personale të saj.
“Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier në bashkëpunim me Drejtorinë Kundër Krimeve ndaj Personit dhe Pronës në Departamentin e Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, pas një hetimi disa javor me metoda speciale të hetimit, zhvilluan operacionin policor “Koshovica”, duke e finalizuar me arrestimin në flagrancë të shtetasve:
G.M, 44 vjeç, banues në Cakran.
J.Sh, 46 vjeç, banues në Cakran.
Arrestimi në flagrancë i këtyre shtetasve u bë pasi në bashkëpunim me njëri tjetrin, dyshohet se kanë shantazhuar dhe kërcënuar një shtetase, duke i kërkuar para dhe favore seksuale me qëllim mos publikimin në rrjetet sociale të disa fotove personale të saj.
Nga tërësia e veprimeve të kryera, shtetasit e sipërpërmendur kanë konsumuar elementët e veprës penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” e kryer në bashkëpunim.
Materialet për veprime të mëtejshme do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.”, thuhet në njoftimin e policisë.