Pesëdhjetë e një njerëz kanë mbetur të plagosur dhe disa shtëpi, kisha dhe ndërtesa të tjera u dëmtuan, kur një tërmet goditi Filipinet këtë të shtunë.
Tërmeti me magnitudë 5,8 goditi bregun verilindor të ishullit Mindanao në orën 4:42 të mëngjesit, me zyrën sizmologjike të Filipineve që regjistroi edhe 7 tronditje të tjera më pak intensive, shkruan ABS-CBN.
Zyrtarët në stacionin e policisë në qytetin e Madridit, u ulën poshtë tryezave, pasi u thye një derë xhami dhe një televizor ra në dysheme. Këtë e bëri të ditur shefi i policisë, Toger Wilson Uanite i cili shtoi: “Ne pamë njerëz që dilnin nga shtëpitë e tyre. Një numër ndërtesash banimi pësuan dëme të vogla, si plasaritje në mure”.
Pacientët u evakuuan në Spitalin e Qarkut të Madridit, pasi ndërtesa pësoi çarje në mure.
Kulmi i një parku të vjetër makinash në Madrid u shemb, duke shkaktuar dëmtime të lehta për dy zjarrfikëse të qytetit dhe tre makina.
Tërmeti pati pasoja edhe në katër qytete fqinje, ku u dëmtuan shtëpi, dy kisha katolike, një hotel, një palestër, një urë dhe një treg publik.