Një ushtar amerikan është vrarë në Afganistan gjatë misionit të NATO-s. Identiteti i ushtarit nuk bëhet i ditur, por ai është i 11-ti që vritet në Afganistan për këtë vit.
“Emri i ushtarit të vrarë në aksion nuk do të zbulohet deri në 24 orë pas njoftimit të familjarëve”, tha misioni i drejtuar nga NATO në Afganistan në një deklaratë të shkurtër.
Zëdhënësi i talibanëve Zabiullah Mujahid nga ana tjetër, tha se dy ushtarë amerikanë u vranë dhe tre u plagosën në një sulm me bombë në provincën Wardak, në perëndim të Kabulit. Ai nuk dha më shumë detaje.
Më herët këtë javë, përfundoi raundi i shtatë i bisedimeve midis përfaqësuesve të SHBA-ve dhe talibanëve në Doha, Katar. “Washington Post” shkruan se bisedimet u përqendruan në tërheqjen e mundshme të trupave të SHBA-së dhe përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës 18-vjeçare.
Zyrtarët amerikanë kanë shprehur dëshirën për të arritur një marrëveshje paqeje deri më 1 shtator, përpara zgjedhjeve presidenciale afgane të planifikuara për atë muaj.
Talibani ka marrë përgjegjësinë për një numër sulmesh gjatë bisedimeve të paqes, duke përfshirë edhe sulmin e 1 korrikut në Kabul që mori dhjetra jetë.
SHBA-ja ka luftuar me talebanët në Afganistan që nga viti 2001. Kjo është lufta më e gjatë e Amerikës dhe mbi 2.400 amerikanë kanë vdekur duke luftuar kundër Talibanit.
Njoftimi i së shtunës e çon numrin e përgjithshëm të vdekjeve të trupave të SHBA-së në Afganistan këtë vit në 11, sipas “iCasualties”, një faqe interneti që shënon viktimat e forcave amerikane në Afganistan dhe Irak.