Në orët e para të ditës së sotme Gjiri i Durrësit është përfshirë nga erë e fortë dhe reshje intensive të shiut. Burime nga Kapiteneria e Portit të Durrësit, bëjnë me dije për A2 CNN se rreth orës 03:00 të mëngjesit Durrësi u përfshi nga një furtunë në formë uragani, që fatmirësisht nuk ka shkaktuar dëme në mjetet lundruese që ndodheshin në det apo port.
I vetmi incident i shënuar ka qenë me një moto jaht i qujtur “Lamacoia” i cili mbrëmjen e shkuar ka dhënë sinjal alarmi, ndërsa është bërë rimorkimi i tij drejt Vlorës.
Shkak i këtij incidenti, sipas Kapitenerisë ka qenë mungesa e karburantit nga ana e moto jahtit që lundronte në ujërat tanë territorialë.
Në bordin e jahtit kanë qenë 7 persona me kombësi Serbe dhe po vinin nga Greqia. Ata kanë dhënë alarmin për shkak të motit në afërsi të lagunës së Karavastasë.
Rreth orës 19 e 35 minuta të mbrëmjes së të shtunës, në drejtim të jahtit është nisur anija ushtarake P-116, por edhe një mjet i Guardia di Finanza nga Durrësi dhe një tjetër nga Rradhima. Mjeti u transportua rreth orës 22 e 20 në portin e Vlorës, ku u konstatua që gjendja e pasagjerëve ishte e mirë.
Vini Re: Shkrimi është pronësi intelektuale e “A2CNN”