Vendosni fjalën kyçe....

Një ditë pas tragjedisë, shefi i Zjarrfikësve: Fëmijët nuk duhen lejuar brenda kanionit të Holtës!


Të tjera detaje zbulohen lidhur me operacionin e shpëtimit të turistëve të bllokuar në Kanionin e Holtës.  Shefi i zjarrfikësve të Gramshit, Ilir Llapushi, tha se fillimisht u synua të shpëtoheshin fëmijët.

Më pas gjetën vëllain e 25-vjeçares Desantila Sallaku, Denisin, të kapur pas një shkëmbi, pasi nuk ia kishte dalë që të shpëtonte të motrën.

Llapushi bëri apel që  prania e fëmijëve brenda kanionit të ndalohet, për shkak se aty nuk ka asnjë element sigurie, që mund të garantojë jetën e tyre.

Ai madje propozon mbylljen e përkohshme të Kanionit të Holtës për turistët.

“Ishte e pamundur që të futeshim fillimisht, më pas hymë brenda dhe shpëtuam disa fëmijë, më tej gjetëm, burrin 55-vjeçar, që ishte mik i familjes Sallaku. Në atë vend ku ishte 25-vjeçarja do të ishte e vështirë të shpëtonim edhe ne që jemi trajnuar, pasi rrjedhja e ujit është shumë e fortë. Vëllain e saj e gjetëm të kapur pas një shkëmbi.

Guidat turistike nuk duhet t’i fusin turistët brenda kanionit, kur koha nuk është e mirë, do mblidhet shtabi i emergjencave, për të parë si do të veprohet më tej, për lejimin e turistëve që të hyjnë brenda kanionit.

Kur lumi vjen ka shumë forcë dhe nuk do të hynin në punë as jelekë e shpëtimit. Nuk duhet të lejohen në mënyrë absolute që fëmijët e vegjël të merren brenda në kanion. Problemi qendron jo vetëm të guidat, por edhe te vetë familjarët që vijnë me mjete personale dhe frekuentojnë këtë pikë turistike”, tha Llapushi në një prononcim për “Fax News”.

Në ditën që lamë pas, 25-vjeçarja Desantila Sallaku humbi jetën kur një grup turistësh mbetën të bllokuar në kanionin e Holtës.

Familjarët e saj, turistë dhe fëmijë të mitur mbetën pa ndihmë të specializuar nga guidat përballë rrymave të shtuara të ujit si pasojë e shirave. Ata pësuan momente tmerri deri në mbërritjen e ekipeve të shpëtimit, por Desantila Sallaku ishte mbytur. Trupi i saj u gjet rreth 500 metra larg Kanionit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *