Eno Bozdo ka kundërshtuar rritjen e çmimit të naftës duke thënë se “justifikimi i detyrimeve të Shqipërisë kundrejt BE-së është një gënjeshtër e pastër.”
Anëtari i kryesisë së PD-së, tha në një deklaratë për mediat se me rritjen e re të çmimit të karburantit, paratë shkojnë dy herë në xhepat e oligarkëve të sektorit, ndërsa shqiptarët paguajnë dy herë të njëjtën gjë. Qeveria planifikon të rrisë çmimin e naftës me 20 lekë, por kjo nuk është pritur mirë më një fushatë në rrjetet sociale që paralajmëron protesta për ditën e sotme.
Bozdo tha se masa kryesore që do të marrë PD me ardhjen në pushtet do të jetë ulja e menjëhershme e çmimit të karburantit me 300 lekë për litër.
Deklarata e Bozdos:
Qeveria ka programuar një tjetër rritje çmimi për karburantin. Sado që Rama të fshihet dhe ta mohojë këtë fakt, e vërteta është se ai po programon të fusë përsëri duart në xhepat bosh të shqiptarëve.
Shqipëria sot ka çmimin më të shtrenjtë të karburantit në Evropë, ndërkohë që është vendi më i varfër i saj. Çmimi i karburantit sot është shumë i shtrenjtë në Shqipëri, sepse qeveria e ka ngarkuar atë me taksa dhe akciza shumë të larta, të pahasura në asnjë nga vendet e tjera të rajonit dhe të BE.
Sikur të mos mjaftojnë të gjitha këto, qeveria kërkon përsëri të rrisë çmimin e karburantit. Këtë kërkon të justifikojë në emër të detyrimeve të Shqipërisë kundrejt BE dhe përafrimit të legjislacionit të fushës.
Kjo është një gënjeshtër e pastër sepse Shqipërisë vërtet i kërkohet mbajtja e rezervave të sigurisë së karburantit, për t’u përdorur në rast emergjencash kombëtare, por kjo nuk është aspak gjë e re. Industria shqiptare e sektorit të naftës dhe gazit e ka patur detyrimin për të mbajtur këto rezerva që në vitin 1999, me ligjin që është ende sot ne fuqi.
Me amendimin që iu bë këtij ligji në vitin 2004, përcaktohet qartë se Industria duhet të mbajë rezervë sigurie të përllogaritur në 90 ditë shitje dhe konsum. Industria e ka plotësuar këtë kërkesë, dhe koston e mbajtjes së kësaj rezerve e ka transferuar prej 15 vitesh tashmë në çmimin final të karburantit për konsumatorët.
Nuk është aspak e nevojshme që ky model të ndryshojë. Por qeveria kërkon ta ndryshojë modelin duke gënjyer shqiptarët. Gënjen kur thotë që është detyrim i BE-se, siç gënjen kur deklaron se çmimi i karburantit nuk do të rritet. Praktikisht, ajo do t`ia ribleje Industrise këtë sasi nafte me lekët e taksapaguesve, gjë për të cilen taksapaguesit kanë 15 vite që paguajne. Këto para shkojnë dy herë në xhepat e oligarkëve të sektorit, ndërsa shqiptarët pagujne dy herë të njëjtën gjë. Kjo është vjedhje e hapur!
Për një vend ku 81% e familjeve deklarohen se nuk perballojne dot as një javë pushime, dhe 31% e familjeve deklarohen se nuk u dalin të ardhurat për ushqim dhe veshmbathje, kjo vjedhje e radhës që qeveria u bën dhuratë shqiptarëve, tregon qartë sa i do dhe çfarë mendon Rama për shqiptarët.
Në harkun kohor të 10 diteve të fundit, katër institucionet me prestigjioze ndërkombëtare, FMN, Banka Botërore, Komisioni Evropian dhe DASH, kanë deklaruar se Shqipëria është vendi më i korruptuar në Evrope dhe se ekonomia e saj është në prag të greminës. PPP megakorrutive shpejt do të shkaktojne kolaps ekonomik. Investitorët e huaj që po largohen në masë, vlerësojne se Shqipëria ngel keq në klasë në klimën e të bërit biznes, në luftën kundër korrupsionit dhe në burokracinë e paaftë dhe të korruptuar të saj.
Nuk ka gjë më të rëndësishme për Partine Demokratike sesa mirëqenia e shqiptarëve. Për këtë, Partia Demokratike ka tashmë një plan solid për të rimëkëmbur ekonominë. Një ndër masat kryesore do të jetë ulja e menjëhershme e çmimit të karburantit me 300 lekë për litër.
Ashtu siç do të vendosim menjëherë taksën e sheshtë 9% dhe do të reduktojmë të gjithë burokracinë, korrupsionin dhe hajdutërinë që po i merr frymën sot biznesit. Ne jemi të vendosur që shume shpejt ta bëjmë Shqipërinë vendin më të mirë për të bërë biznes, ndërsa shqiptarëve tu kthejmë mundësinë dhe dinjitetin për të jetuar normalisht në vendin e tyre.
Për këtë, së pari duhet të largojmë këtë maxhorancë nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Edi Rama duhet të largohet dhe qeveria tranzitore duhet t`i hapë rrugë zgjedhjeve të lira dhe leximit të drejtë të vullnetit të shqiptarëve. 30 qershori vertetoi se tashmë jemi shumicë absolute.
Prandaj do të vazhdojmë pa asnjë mëdyshje rrugën tonë të nisur, në të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve.