Vendosni fjalën kyçe....

Autoritetet amerikane nisin aksionin kundër emigrantëve të paligjshëm


Administrata e Presidentit Trump po përpiqet t’i japë fund mbrojtjes përmes azilit për shumicën e emigrantëve të Amerikës Qendrore që hyjnë në vend. Një rregullore e publikuar të hënën, i ndalon imigrantët të kërkojnë strehim në Shtetet e Bashkuara nëse ata kanë udhëtuar përmes një vendi të tretë, raporton Zëri i Amerikës.

Dhjetëra mijëra familje emigrantësh nga Amerika Qendrore udhëtojnë çdo muaj nëpër Meksikë për të ardhur në SHBA. Administrata e Presidentit Trump thotë se familjet përfitojnë nga mangësitë ligjore për të hyrë në vend dhe pastaj presin deri sa të merren në shqyrtim kërkesat e tyre të rreme për azil.

Ndërkohë, të dielën në nëntë qytete amerikane filluan operacionet ndaj 2 mijë imigrantëve të cilët kanë marrë urdhra deportimi. Qytetet përfshijnë Nju Jorkun, Çikagon dhe Los Anxhelesin. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mike O’Sullivan ashpërsimi i masave ka zemëruar demokratët, përfshirë shumë zyrtarë lokalë, por po përshëndetet nga përkrahësit e Presidenit Donald Trump.

Të premten në San Francisco, kryetarja e bashkisë, London Breed premtoi se qyteti i saj do t’i mbronte imigrantët, duke sfiduar administratën e presidentit Trump.Të dielën, protestuesit u mblodhën në Nju Jork.
“Kontrollet dhe kërcënimi për bastisje, kanë ndikuar tek komunitetet tona duke ngjallur frikë. Ky është i vetmi qëllim i tyre: të përhapin frikë, që t’i bëjnë njerëzit të mos ndjehen të sigurt të dalin nga shtëpitë e tyre”, thotë Carina Kaufman-Gutierrez, e organizatës “Queens Neighborhoods United”.

Të premten, pranë San Diegos protestuesit marshuan drejt kufirit, ndërsa në Uashington, anëtarë të Kongresit folën për mbipopullimin e qendrave të ndalimit të imigrantëve dhe kushtet johigjienike të tyre.

“Është e panevojshme të kesh një politikë për të ndaluar gra dhe familje të pafajshme që nuk kanë dëmtuar askënd dhe që po kërkojnë ligjërisht azil në Shtetet e Bashkuara”, tha anëtarja demokrate e kongresit, Alexandria Ocasio-Cortez

Zyrtarët amerikanë thonë se janë të mbingarkuar nga njerëzit që duan ta kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme, numri i të cilëve ka aritur në 100 mijë në muaj. Republikanët thonë se bëhet fjalë për krizë.

“Para disa muajsh, ndërsa shumë nga kolegët e mi ankoheshin se situate në kufi ishte një krizë e sajuar, ne po bënim thirrje për veprim të menjëhershëm sepse gjendja ishte e tmerrshme. Qendrat ishin të mbingarkuara dhe të tmerrshme”, tha anëtari republikan i Kongresit, Andy Biggs.

Përkrahësit e Presidentit thonë se Kongresi duhet të rregullojë mangësitë në ligj. Kritikët thonë se sistemi është defektoz dhe duhet të reformohet rrënjësisht.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *