Thyen heshtjen më në fund kryedemokrati Lulzim Basha.
Pas protestave të zakonshme, Basha vendos të përparojë në lëvizjen e tij politike, duke u takuar kokë më kokë me presidentin Ilir Meta, propozuesin e zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme.
Për rreth 40 minuta Basha ka biseduar me Metën, lidhur me ngërçin politik dhe zgjidhjet e mundshme.
Disa minuta pas përfundimit të takimit me të dhe pas takimit me aleatët, Basha dha disa detaje lidhur me bisedën me presidentin.
“Padyshim që lidhet me 13 tetorin. Kreu i shtetit mendon se 13 tetori është një mundësi për daljen nga kriza politike përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, zgjedhjeve lokale dhe siç është shprehur politikisht edhe përmes zgjedhjeve të reja presidenciale që nënkupton ndryshime kushtetuese.
Duke vlerësuar maksimalisht qëndrimin e presidentit dhe shqetësimin e tij i kam bërë të qartë që Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar janë në këtë betejë për interesin e njerëzve që zgjedhjet e ardhshme, ndryshe nga farsa e 30 qershorit siç e deklaroi edhe OSBE/ODIHR-i duhet të jenë për njerëzit dhe jo për partitë dhe aq më pak për Ymer Lalët dhe shokun e tyre bablokun e madh dhe oligarkët dhe se me këtë funksion opozita është e gatshme të ndërmarrë çdo hap për t’u garantuar shqiptarëve të drejtën e votës që është dhunuar dhe tjetërsuar përtej çdo përfytyrimi, çfarë e pamë dhe më 30 qershor.
Edi Rama nuk i rezistoi tundimit për të vjedhur edhe një proces ku kandidonte vetë, votonte vetë, numëronte vetë dhe për të garantuar pra përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme një qeveri që buron nga njerëzit dhe i shërben njerëzve.”, tha Basha.
Deklarata me VIDEO:
Pas votimeve të mbajtura nga kryeministri Edi Rama, pritet që në 13 tetor vendi të zhvillojë sërish zgjedhje vendore sipas dekretit të presidentit Ilir Meta.
Pas zgjidhjes së propozuar nga Meta për zgjedhje të parakohshme të përgjithshme në të njëjtën ditë me ato të zgjedhjeve vendore, Rama dhe Basha nuk kanë mbajtur asnjë qëndrim për çështjen. Kryedemokrati së bashku me kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhin vazhdojnë protestat, ndërsa sot ishte lëvizja e parë e kryedemokratit./Hashtag.al