Templates by BIGtheme NET

“Shuplaka” e ambasadores franceze në Tiranë:  Zgjedhje vendore të çuditshme, ku po shkon Shqipëria?!

Ambasadorja franceze në Tiranë, zonja Christina Vasak

Ambasada e Francës organizoi më 14 korrik një pritje për festën kombëtare në oborrin e Pallatit të Brigadave në Tiranë.

Por ajo që pritej të ishte një festë formale, me fjalime “të lehta” në raste të tilla, rezultoi të ishte krejt ndryshe.

Ambasadorja e Francës në Tiranë i dha një “shuplakë” të fortë qeverisjes në Shqipëri, duke bërë pyetje e duke kërkuar përgjigje.

Zonja Christina Vasak, në krahë të së cilës ishte edhe presidenti i vendit Ilir Meta, jo vetëm që pyeti se ku po shkon Shqipëria dhe ku po shkojnë të rinjtë e saj por i quajti votimet e Ramës më 30 qershor të çuditshme.

“Ku po shkon Shqipëria dhe për ku po largohet rinia e saj? Pak ditë pas disa zgjedhjeve vendore të çuditshme, këto janë pyetjet që dua të ngre publikisht.”, e nisi fjalën e saj Vasak.

Vasak kritikoi edhe ambasadorët teksa shfaqi shqetësimin duke ngritur pyetje mbi besimin te institucionet: “Të ndërtosh një shtet ligjor të denjë për këtë emër, në çdo aspekt, pa pandëshkueshmëri as vetëkënaqësi, është një gjë për të cilën shqiptarët janë dhe duhet të vazhdojë të jenë në një mendjeje. Por a nuk po zbehet besimi tek institucionet? Ka shumë pyetje për popullatën në tërësi, përtej klasës politike. Diplomatët janë këtu për të kuptuar, mbështetur dhe shoqëruar, por në asnjë rast për të gjykuar ose zëvendësuar autoritetet kompetente. Kjo gjë duhej thënë.”

Përfaqësuesja e shtetit francez theksoi edhe qëndrimin e presidentit Macron, duke garantuar se: “Të jeni të sigurt, Franca do të qëndrojë pranë Shqipërisë, aleatit të saj në Aleancën Atlantike, pavarësisht nga vendimi që do të merret nga Këshilli në tetor, unanimisht, për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës, Z. Macron, paraqiti në prill në Berlin, në samitin e organizuar me kancelaren Merkel, “Strategjinë e Francës për Ballkanin Perëndimor”. Franca nuk është larguar kurrë nga rajoni, por ajo po e forcon praninë e saj në disa fusha.”

FJALA E PLOTË E AMBASADORES:

Zoti President,

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Zonja dhe zotërinj ministra,

Zonja dhe zotërinj kryetarë të bashkive,

Zoti Dekan i Trupit diplomatik,

Zonja dhe zotërinj ambasadorë,

Të dashur të ftuar,

Të dashur mbështetës të kësaj priteje,

Të dashur bashkatdhetarë,

Ku po shkon Shqipëria dhe për ku po largohet rinia e saj? Pak ditë pas disa zgjedhjeve vendore të çuditshme, këto janë pyetjet që dua të ngre publikisht.

Mund të citoja Justin Godard dhe librin e tij të famshëm, aktual edhe sot e kësaj dite, “Shqipëria në vitin 1921”, por do të kapërcej një vit. Në verën e vitit 1922, një profesor nga Luksemburgu, Albert Calmès, bëri një mision në Shqipëri me kërkesë të Lidhjes së Kombeve për situatën ekonomike dhe financiare. Ja një fragment nga raporti i tij: “(…) duket se mund të mbështetemi në mirëkuptimin dhe në ndjenjën shumë të thellë patriotike të shqiptarëve, të cilët janë plotësisht të vetëdijshëm se pavarësia dhe e ardhmja e tyre varen në radhë të parë nga zgjuarsia e tyre politike. “. 97 vjet më vonë, a nuk vlejnë përsëri këto fjalë? Kjo ishte edhe analiza që studentët e gazetarisë, francezë dhe të huaj, të Universitetit të Strasburgut bënë me shokët e tyre shqiptarë majin e kaluar.

Pse largohet rinia nga Shqipëria apo çfarë e shtyn atë ta bëjë? Çfarë gjëje është më e natyrshme, siç a ka thënë me të drejtë Kryeministri, sesa zbulimi dhe eksplorimi i pjesës tjetër të Evropës dhe botës, të studiosh, të punosh dhe të jetosh diku tjetër? Sigurisht, por pse shumë të rinj duan të largohen për gjithmonë?

Në Marsejë, në nëntor 2018, në konferencën e dytë “Mesdheu i së ardhmes”, në të cilën ju, zoti President, morët pjesë si i ftuar i Presidentit të rajonit Sud-Provence-Alpes-Côte d’Azur, z. Renaud Muselier, ju lëshuat alarmin mbi këtë fenomen, si dhe disa ditë më parë, në Sarajevë, ju shkuat deri aty sa të flisni për eksod në të gjithë rajonin.

Sondazhet e pasqyrojnë fare qartë: besimi në të ardhmen e vendit, kur të vijë koha, në gjirin e Bashkimit Evropian është i ngulitur thellë tek çdo shqiptar. Ismail Kadare, me talentin e tij të jashtëzakonshëm, e thekson gjithmonë këtë aset.

Të ndërtosh një shtet ligjor të denjë për këtë emër, në çdo aspekt, pa pandëshkueshmëri as vetëkënaqësi, është një gjë për të cilën shqiptarët janë dhe duhet të vazhdojë të jenë në një mendjeje. Por a nuk po zbehet besimi tek institucionet? Ka shumë pyetje për popullatën në tërësi, përtej klasës politike. Diplomatët janë këtu për të kuptuar, mbështetur dhe shoqëruar, por në asnjë rast për të gjykuar ose zëvendësuar autoritetet kompetente. Kjo gjë duhej thënë.

Këtë vit ne përkujtuam 100-vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore, e cila me fat të keq vazhdoi edhe më tej në këtë rajon pas 11 nëntorit të vitit 1918. Falë rrjetit tonë të gjerë të aleancave franceze, të përfaqësuara kaq mirë sonte, në Tiranë, Korçë, Elbasan, Shkodër dhe Durrës, ne do të shfaqim kudo në Shqipëri ekspozitën “Në lindje, lufta pafund”. Në nëntor, do të zhvillohet në Paris edicioni i dytë i “Forumit të Paqes”.

E përmenda Korçën sepse do të kthehemi së shpejti për festivalin tuaj, MIK, e dashur Inva, si dhe çeljen e ekspozitës fotografike të Roland Tashos kushtuar NotreDame de Paris. Çfarë solidariteti i jashtëzakonshëm në Shqipëri, nga të gjitha besimet, gjatë zjarrit të tmerrshëm që shkatërroi katedralen!

Të jeni të sigurt, Franca do të qëndrojë pranë Shqipërisë, aleatit të saj në Aleancën Atlantike, pavarësisht nga vendimi që do të merret nga Këshilli në tetor, unanimisht, për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës, Z. Macron, paraqiti në prill në Berlin, në samitin e organizuar me kancelaren Merkel, “Strategjinë e Francës për Ballkanin Perëndimor”. Franca nuk është larguar kurrë nga rajoni, por ajo po e forcon praninë e saj në disa fusha. Kjo është arsyeja pse është i rëndësishëm fillimi i aktiviteteve të Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD) mbi bazën e një marrëveshjeje, e cila, të shpresojmë, do të nënshkruhet në shtator dhe do të mund të hyjë në fuqi sa më shpejt. Bëhet fjalë të punojmë në disa fusha, si barazia gjinore, planifikimi urban ose lufta kundër ndryshimeve klimatike, së bashku me partnerët tanë shqiptarë, si për shembull komunat, Tirana, Durrësi etj. dhe me donatorë ndërkombëtarë, dypalësh dhe shumëpalësh.

Duke ju falënderuar për praninë tuaj të ngrohtë, me një përshëndetje të veçantë për donatorët tanë bujarë, dëshiroj që në emër të të gjithë t’i uroj me gjithë zemër këtij vendi të bukur dhe popullit të tij përparimin që meritojnë në kontinentin tonë. Pak javë më parë, një nga katër misionet arkeologjike franko-shqiptare zbuloi në Durrës, gjatë pranisë sonë të rastësishme aty, një statujë të jashtëzakonshme mermeri.

Uroj që nga thellësia e së shkuarës, ky fëmijë i vogël i shekullit të parë ose të dytë pas Krishtit të mishërojë të ardhmen!”/Hashtag.al

 

MUND TË KOMENTOSH

avatar
  Subscribe  
Më njofto