Vendosni fjalën kyçe....

Votimi në Parlament/ Gara për kreun e AMF, 2 nga 3 kandidatët nën “ndalim ligjor”

Parlamenti pritet të votojë të enjten kryetarin e bordit të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, në një garë ku 2 nga 3 kandidatët për këtë post janë në kushtet e ndalimit të ligjit dhe konfliktit të interesave.

Në garë janë kryetari në detyrë i AMF, Pajtim Melani, si edhe dy sfidantët Olsi Çoku dhe Ervin Mete.

Gara për kreun e bordit të AMF-së është hapur në Janar 2019, ku, në përfundim, aplikuan 4 kandidatë. Pasi asnjë nga kandidatët nuk arriti të merrte votat e nevojshme për t’iu përcjellë seancës për votim, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave shpalli thirrjen e dytë, në Prill 2019.

Pas thirrjes së dytë, u dorëzuan aplikimet nga 3 kandidatët, të cilët tashmë i janë përcjellë për votim Parlamentit.

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë duket se ka anashkaluar verifikimin e plotë të kandidatëve, pasi, nëse do të ishte realizuar procesi i duhur, dy prej tyre nuk duhet t’i ishin përcjellë seancës për votim.

Siç ka raportuar më parë “Boldnews.al”, dy nga tre kandidaturat, Olsi Çoku dhe Ervin Mete janë në kushtet e konfliktit interesit dhe ndalimit të ligjit për tu zgjedhur si antar/kryetar të Bordit të AMF pasi kanë punuar për subjektet në mbikëqyrjen e AMF gjatë tre viteve të fundit.

Mete person politik dhe konflikt interesi

Kandidatura e Ervin Metës është gjithashtu në kundërshtim me kriteret ligjore. Në nenin 5 të ligjit “Për AMF” parashikohet se kryetari dhe anëtarët e bordit të këtij institucioni duhet të jenë të paangazhuar politikisht.

Nga të dhënat publike, rezulton se Ervin Mete është kryetar i subjektit politik G-99”, gjë e cila përbën ndalim ligjor që ai të zgjidhet kryetar i Bordit të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare.

Gjithashtu, aktiviteti politike i kandidatit Mete është më i gjerë se sa drejtimi i G-99. Emri i tij gjendet në listën e kandidatëve për Këshillin Bashkiak të Tiranës nga radhët e Partisë Socialiste.

Pavarësisht se rezultatet ende nuk janë shpallur zyrtarisht, Mete, me shumë mundësi, është zgjedhur si këshilltar, për shkak të një procesi votimi thuajse pa garë që u zhvillua në Bashkinë e Tiranës, në 30 Qershor.

Detyra e këshilltarit bashkiak e vendos Ervin Meten në kushtet e konfliktit të interesit, pasi AMF, ndër të tjera, mbikqyr edhe ligjin nr. 10158, datë 15.10.2009 “Për obligacionet e shoqërive aksionare dhe të qeverisë vendore”, ku parashikohet edhe emetimi i obligacioneve nga pushteti vendor.

Por Mete ka dhe një tjetër ndalim ligjor, pasi ai ka qenë kryetar i Këshilli Mbikëqyrës të Insig deri në gusht 2016. Ligji “Për AMF-në”, po në pikën 5 të tij, parashikon qartësisht se “Nuk mund të jenë anëtarë të Bordit të Autoritetit persona, të cilët:  a) në tre vitet e fundit kanë qenë ortakë, aksionarë, apo anëtarë të organeve drejtuese të subjekteve të mbikëqyrura”. Pra edhe sipas përcaktimi ligjor, Ervin Mete nuk mund të zgjidhet anëtar/kryetar i bordit të AMF, deri në fund të muajit Gusht 2019.

Ndërkohë që po pret votimin në parlament për drejtuesin e institucionit të pavarur, Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, Ervin Mete vijon të jetë në detyrën e Drejtorit të Kabinetit të Ministrisë së Financave, një post politik në një prej institucioneve më të rëndësishme të qeverisë.

Vetëm përfshirja e tij në garën për drejtuesin e AMF-së cënon rëndë pavarësinë e këtij institucioni. Ambasadori i BE, z. Luigi Soreca, në një takim që zhvilloi në Prill 2019 në Parlament, u shpreh: “institucionet e pavarura janë të rëndësishme për të përparuar me prioritetet kryesore të reformës për të cilat Shqipëria dhe Bashkimi Evropian kanë rënë dakord dhe të cilat ne i mbështesim dhe i monitorojmë”.

Është e qartë që Soreca i përcolli Parlamentit mesazhet e drejtëpërdrejta të Brukselit, i cili pret nga autoritetet shqiptare që jo vetëm të mos cënojnë, por edhe të forcojnë integritetin e institucioneve të pavarura.

Çoku në konflikt interesi

Burimet nga Kuvendi bënë me dije se Çoku është përjashtuar nga gara herën e parë të kandidimit pasi, nga vlerësimi ligjor i Drejtorisë së Monitorimit, rezultoi se nuk përmbush kriteret e eksperiencës 7-vjeçare (ish-komentator sporti dhe pa eksperiencë në tregjet financiare).

Gjithashtu, ai është edhe në kushtet e konflikt interesi me subjektet tregtare që mbikëqyr AMF. Sipas faqes zyrtare te bankës Credins, aksionere e bursës ALREG, rezulton se Olsi Çoku ka punuar me kohe te pjesshme për këtë subjekt.

Sipas deklarimeve në seancën dëgjimore në Komisionin për Ekonomi dhe Financa, të datës 5.2.2019, vetë Çoku referoi tre raste të konfliktit interesi (Min 37.20)  kur shprehet se “Për sa i përket eksperiencës së fushës kam asistuar kompanitë e sigutimit të jetës dhe jo-jetës dhe kam ndjekur disa procese gjyqësore”, (Min 37.57)…. “Kam asistuar një bankë të nivelit të dytë në fazën konceptuale të Bursës Shqiptare të Titujve Alreg” dhe “Kam ndihmuar në due diligencën e krijimit të fondit të parë të pensioneve private”.

Pra është e qartë se është në konflikt interesi në të gjitha fushat e veprimtarisë së AMF-së. Ligji “Për Autoritetin e Mbikqyrjes Financiare” parashikon se “nuk mund të jenë anëtarë të Bordit të Autoritetit persona, të cilët: (a) në tre vitet e fundit kanë qenë ortakë, aksionarë, apo anëtarë të organeve drejtuese të subjekteve të mbikëqyrura dhe (c) në tre vitet e fundit kanë qenë punonjës me kohë të pjesshme apo të plotë në subjektet e mbikëqyrura”.

Çoku vjen nga politika, si kandidat jofitues për deputet i Partisë Socialiste për qarkun e Elbasanit në zgjedhjet e vitit 2017. Përfshirja e tij në garë bie ndesh me pritshmërinë e partnerëve ndërkombëtarë për pavarësinë e plotë të institucioneve të krijuara me ligj.

Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, në takimin e zhvilluar në Parlamentin e Shqipërisë, në Prill të këtij viti theksoi se  “institucionet e pavarura janë kyçe për zhvillimet demokratike dhe mishërimin e vlerave të BE. Institucionet e pavarura janë instrumente për progresin e reformave apo prioriteteve kyçe që ne i monitorojmë”.

Neglizhenca e Komisionit të Ekonomisë

Seanca plenare parlamentare është investuar për të zhvilluar të Enjten procesin e votimit për 3 kandidaturat për kryetarin e Bordit të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, pas një pune aspak profesionale të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave.

Ky Komision kishte detyrën parësore që të verifikonte kritetet dhe kushtet ligjore të kandidatëve, para se t’ia përcillte për votim seancën plenare.

Siç rezulton nga të dhënat e publikuara nga “BN”, Komisioni i Ekonomisë ka anashkaluar dhe ka neglizhuar problematikat në kandidaturat e Olsi Çoku dhe Ervin Mete.

Në rast se Komisioni i Ekonomisë do të kishte zbatuar me rigorozitet kërkesat e ligjit, këta dy persona nuk do të duhet të kalonin filtrin e kandidimit.

Tashmë, fjala e fundit i ka mbetur Parlamentit, i cili pritet që të Enjten të zgjedhë një prej 3 kandidaturave si kryetar të Bordit të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare.

Nëse do të procedohet sipas ligjit, Kuvendi ka në dorën e tij vetëm një kandidaturë konform kërkesave dhe kritereve të parashikuara nga ligjvënësi.

Kandidatura që plotëson kriteret ligjore është ajo e kryetarit aktual të Bordit të Mbikqyrjes Financiare.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Boldnews

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *