Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, e ka cilësuar nul të gjithë procesin e 30 qershorit. Reeagimi i kryetares së LSI-së, vjen pas vendimit të Gjykatës së Durrësit për mosdhënien e mandatit të kandidates socialiste për bashkinë e qytetit bregdetar, Valbona Sako.
Në reagimin e saj, Kryemadhi thotë se procesi është nul dhe ka pavlefshmëri absolute. Ajo thekson se pas këtij vendimi çdo vendim i KQZ-së është nul.
KQZ-ja, thekson Kryemadhi, ka shkelur haptazi Kodin Zgjedhor dhe ligjin për partitë politike dhe e gjithë vendimmarrja e saj rezulton në shkelje të hapur të Kodit të Procedurave Administrative.
Ndërsa në fund i bën thirrje kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku, të hetojë anëtarët e KQZ-së për shpërdorim detyre.
‘Nul!
Pavlefshmëri absolute!
Thjesht e saktë pa tambure politike. Vendimi i Gjykatës së Durrësit vetëm teknikisht tregoi se që në krye të herës, që në hapin e saj të parë procedural e administrativ, atë të regjistrimit të subjekteve zgjedhore KQZ ka shkelur hapur Kodin Zgjedhor dhe ligjin për partitë politike, dhe gjithë veprimtaria e vendimmarrja e saj rezulton në shkelje të hapur të Kodit të Procedurave Administrative.
Që pas këtij momenti çdo vendim i KQZ është nul. Pavlefshmëria absolute e aktit administrativ sjell pavlefshmëri absolute të të gjithë procesit në vijim.
Gjithçka konsiderohet nul.
A mund të diskutohet tani mbi diçka që nuk ka sjellë asnjë pasojë juridike??
Nul i gjithë procesi.
Zgjedhje nuk ka patur.
E vetmja pyetje tani që mbetet të bëhet është: Kush do të mbajë përgjegjësi tani për të gjithë dëmin ekonomik, juridik, moral, të krijuar nga veprimtaria e paligjshme e KQZ?
I bëj thirrje Prokurores së Përkohshme të fillojë menjëherë çështjen penale për “Shpërdorim detyre” në ngarkim të anëtarëve të KQZ .’ – shkruan Kryemadhi.
/Hashtag.al