Vendosni fjalën kyçe....

Gjergji


Nga Anila Hoxha

Gjergji është 33 vjeç. Është një nga djemtë e policisë që më ka lënë pa fjalë sot. Teksa përpiqet të vazhdojë përpara mes jetës së një të riu dhe dëshirës së tij si polic, më tregon eksperiencën e tij si një agjent i mbuluar. Një detyrë që e kreu me sukses për disa vite me radhë. Gjergji është një nga ata të panjohurit trima që ne as që e kemi idenë se ç’kanë bërë dhe sa kanë sakrifikuar. Por përpos zhgënjimit Gjergji tek-tuk kujton miqtë që bëri në polici dhe ata që humbi. Mes tyre Fatos Xhanin apo edhe Tan Cukun.

“Do më vrasin, do më vrasin si Artan Cukun. Kam blerë një armë për të cilën jam pajisur me leje, kushdo që të vijë për tmë vrarë, njërin prej tyre do ta marr me vete” . Ky është parashikimi i zymtë i Gjergjit, njërit prej agjentëve të infiltruar, një ndër më të mirët që ka patur Policia e Shtetit. Gjergji , të cilin mjaft trafikantë droge e njohin me emrin tjetër siç autoritetet e kishin pajisur me dokumente, pret ditën se kur do ta zbulojnë. Nga 11 vite në polici, shumicën e tyre e kaloi si agjent undercover, ose agjent i mbuluar. Dhjetra aksione në të cilat ai u shtir si trafikant droge për llogari të drejtësisë në mënyrë që të zbulonte ngarkesa që me pas janë sekuestruar , kriminelë që më pas janë arrestuar.

“Më dhanë identitetin tjetër, operoja nën atë identitet te dyte, për mos ta harruar mora emrin e shokut të fëmijërisë. Jam ulur në një tavolinë me trafikantë të dëgjuar, kam ngrënë bukë në shtëpinë e tyre. Kur isha i inflitruar sillesha si ata, bëja si i fortë, vishesha shtrenjtë si ata, mbaja makina të shtrenjta.. , është e vështirë të ta shpjegoj. Kisha një parim, të mos isha asnjëherë agjent provokator dhe gjithmonë e kam larguar nga rreziku informatorin. Kur vinte çasti për të blerë ngarkesat, përherë me vendoseshin në dispozicion shumë vlera monetare, të cilat ishin të sigluara dhe në funksion të aksionit”

Por pavarësisht kontributit, Gjergji është larguar nga detyra me argumentin më paradoksal: “Për shkurtim të funksionit organic”. Është 33 vjeç dhe ka dalë në reformë, pasi kishin luajtur ping-pong me të, nga undercover njëri nga shefat e hodhi polic objektesh, pastaj e kthyen sërisht tek hetimi i grabitjeve të dhunshme, pastaj patrullë, pastaj under cover dhe se fundmi ne Kombinat. Për të qarë e për të ulëritur. Një agjent undercover. Një agjent i lindur për të qenë i tillë. U spikat që në akademi nga të huajt, mes të cilëve atë dhe disa si ai i trajnuan anglezë e gjermanë se si undercoveri shqiptar të fuste trafikantët në kurthin e ligjit. Mes tyre Alan Watson, Sean Mcgowan dhe Roderik Mckenzie.

E ç’rëndësi ka e gjitha kjo. Gjergji , vetëm 33 vjeç ka dalë në reformë, pasi e hodhën degë më degë e cep më cep. Por as kjo s’ka rëndësi. Të paktën askujt që duhet të shqetësohej nuk shqetësohet.

Ajo që ka rëndësi është se Gjergji thotë që po pret ta vrasin. Ashtu si Tan Cuku që pastaj e shpallën dëshmor më pas. Të gjithë ne e dinim që Tani ishte mjaft i kujdesshëm pasi e hodhën në rrugë, por të gjithë pritëm si sehirxhinj deri sa ta vrisnin.

Telendisja e Gjergjit sa në policinë e objekteve dhe të Kombinatit nisi menjëherë sapo goditi një trafikant heroine, ndërsa më pas ulje ngjitjet i pati pjesë të punës dhe përditshmërisë edhe për shkak të temperamentit të tij por edhe një konflikti në të cilin ai mbeti i plagosur. Pa diskutim që në ditë të tilla pati lavdinë e tij si agjent i mbuluar ku pas çdo aksioni ai shikonte rezultatet nga këndi i një të panjohuri.

Gjergji këmbëngul se polic nuk të bën rroba. Dhe ka të drejtë. Për t’u bërë një polic i tillë si ata që kemi parë në filma, Gjergji i doli së pari kundër familjes së tij, familje mjekësh. I ati, një doktor e dërgoi djalin e vetëm në Itali, ku Gjergji përfundoi L. Cl. Përkundër pritshmërive Gjergji ja tha troç familjes ëndrrën dhe ambicien e tij.

“Endrra ime ka 5 pesë gërma… POLIC “

Ai është zotërues i 3 gjuhëve anglisht, greqisht dhe italisht. U diplomua shkëlqyeshëm. Por kjo s’ka rëndësi.

Ai ishte një agjent undercover. Ai ishte një polic i mirë. As kjo s’ka rëndësi.

Ai mund të zgjidhte një të ardhme të sigurtë, ai mund të jetonte kudo. Por kjo s’ka rëndësi….


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *