Templates by BIGtheme NET

Modeli sovjetik i Nomenklaturës


Nga Aurel Plasari

(Nga cikli “Me historinë poshtë nënkresës”)

Rusia pararevolucionare kishte trashëguar nga Perandoria romake e Lindjes ose Bizanti një “Katalog të Rangjeve”, që do të thotë një tablo sinoptike të ofiqeve fisnikëruese ushtarake, administrative dhe diplomatike të shtetit, i përshtatur më vonë nga Pjetri i Madh në një “Tabelë të Rangjeve”. Nën sloganet propagandistike të ndërtimit të një “shoqërie të re”, pa pronë private, pa burokraci, pa institucione dhune dhe – sidomos – pa klasa, autorët e grushtit leninist të shtetit iu përveshën vënies në jetë të një utopie klasore.

Më 1918 Lenini ndërmori aksionin historik të asgjësimit të aristokracisë, jo vetëm nëpërmjet akteve ligjore, por edhe nëpërmjet banjës së njohur të gjakut: asgjësimit fizik të familjes perandorake “me një të lëvizur të dorës”, sikundër ia kishte ënda ta përsëriste, si dhe deklasimit të pothuaj gjithë familjeve të tjera të mëdha. Aristokraci, simbas propagandës leniniste, nuk do të ekzistonte më. Çdo gjë aristokratike do të cilësohej “reaksionare”, një kuptim i ri që iu dha edhe vetë këtij termi.

Lideri bolshevik kishte vite që ngulmonte në parimin simbas të cilit shteti është organ ose makinë e dhunës së një klase mbi një klasë tjetër. Organin e ri ose makinën e re të dhunës për të shtypur klasën tanimë të përmbysur nga “revolucioni” do t’ia shërbente publikut nën etiketën e “diktaturës së proletariatit”. Tezat më të rëndësishme të këtij aksioni klasor revolucionar Lenini i kishte parashtruar në artikullin programatik A do ta mbajnë bolshevikët pushtetin shtetëror?, që qe botuar saktësisht në prag të marrjes së pushtetit (tetor 1917).

Kur çështja e shtruar në artikullin e përmendur kaloi nga fusha e teorisë në fushën e praktikës rezultoi që, në fakt, diktaturën do ta ushtronte një kastë e re sunduese. Lenini vetë kastën e re sunduese do ta emërtonte në tekstet e tij të mëvonshme “klasa e re”. Ishte një shpikje konceptuale që nuk kishte ekzistuar në tekstet as të Marx-it, as të Engelsit, si me thënë një përvetësim i “Tabelës së Rangjeve” të epokës cariste duke ia përshtatur atë pushtetit të sapoinstaluar.

Në aktet e brendshme dokumentare të regjimit leninist – mandej edhe stalinist – kjo aristokraci lloji të ri emërtohej saktësisht “Nomenklaturë”. Nën emërtesën “Номенклатура” njihej listimi – për qarkullim të brendshëm dhe që u fshihej me shumë rreptësi “masave punonjëse” – i funksionarëve të lartë të cilët emëroheshin me vendim ose miratim të Komitetit Qendror në BRSS, listim i imituar nga të gjitha regjimet e “Kampit socialist”.

Vetë Komiteti Qendror përbënte rangun më të lartë të Nomenklaturës. Rangjet e tjera kompletoheshin me të përzgjedhur në bazë njohjesh, rekomandimesh, por më shumë në bazë të kriterit të besnikërisë ndaj një udhëheqësi. Kompetenca profesionale? Ajo mund të llogaritej, por nuk lozte ndonjë rol vendimtar. Në Nomenklaturë bënin pjesë edhe drejtuesit e organizatave të masave, të krijuesve, si dhe të strukturave akademike shkencore. Për shembull në Nomenklaturën e kontrolluar e të miratuar nga KQ rezultojnë si kryetari dhe sekretarët e Akademisë së Shkencave të BRSS, edhe kryetari i Bashkimit të Shkrimtarëve të BRSS dhe sekretarët e atij “Bashkimi”.

Nëpërmjet pushtetit të kësaj “aristokracie të re” sundohej i quajturi “proletariat”. Nomenklatura merrte vendimet politike, si dhe vendoste masat represive të brendshme, politikën e jashtme etj. Nga ana tjetër ajo gëzonte një varg të gjatë privilegjesh: paga preferenciale, furnizim me mallra dhe produkte ushqimore me shitore të veçanta e të paaksesueshme nga “masat punonjëse”, shërbim shëndetësor të posaçëm me ambulatorë të veçantë, shtëpi pushimi të veçanta, udhëtime dhe shërbime jashtë shtetit, dhe kështu me radhë.

Qysh nga vitet 1921-1922, kur në Bashkimin Sovjetik filloi të përdoret – gjithnjë vetëm për përdorim të brendshëm – termi “nomenklaturë”, fondet dokumentare që kanë të bëjnë me atë kastë të mbyllur oligarkike vijojnë të mbeten të klasifikuara si “sekrete”.

Megjithëkëtë, simbas të dhënave që hulumtuesit bashkëkohorë kanë mundur të nxjerrin në dritë, piramida e të privilegjuarve të Nomenklaturës Sovjetike përbënte 1,5 % të një popullsie prej mbi 200 milionësh. Në këtë 1,5% bënin pjesë rreth 150 funksionarë të lartë të Komitetit Qendror dhe të Sekretariatit të Përgjithshëm të PKBS, mandej në shkallë hierarkike rreth 250.000 persona të aparatit politik, të shtetit dhe të institucioneve të represionit, të republikave, rajoneve, rretheve dhe qyteteve të mëdha. U shtoheshin këtyre edhe rreth gjysmë milioni funksionarësh të ekonomisë.

Në librin e tij Nomenklatura: klasa sunduese e Bashkimit Sovjetik studiuesi i sistemit politik sovjetik Mihail S. Voslenski e ka përllogaritur numrin e personave që përbënin nomenklaturën e BRSS në periudhën e Brezhnjevit në 3.000.000, duke përfshirë edhe familjet dhe të afërmit e tyre.

Ç’është më interesantja: as shpikja leniniste, sado ingjenioze, nuk i shpëtoi ligjit të teoricienit “reaksionar” të elitave Vilfredo Pareto, simbas të cilit – po e them në mënyrë të thjeshtuar – çdo elitë bjerret dhe duhet furnizuar me prurje të reja nga poshtë lart që të mund ta vijojë mbajtjen e pushtetit. Situata klasike e bjerrjes së çdo elite për shkak të zvetënimit të elementëve që atë e përbëjnë u vërtetua edhe për Nomenklaturën.

Edhe bjerrja e strukturës së pushtetit sovjetik, për shembull, u karakterizua nga plakja dhe njëherësh rrëgjimi duke filluar prej shtresës më të lartë të Nomenklaturës. Nëse në fillim të periudhës sovjetike udhëheqësia bolshevike ishte relativisht e re në moshë, Byroja Politike e Komitetit Qendror të PKBS në kohën e Brezhnjevit përbëhej kryesisht prej “pensionistësh”. Mosha e tyre mesatare ishte 70 vjeç dhe anëtarët më të rinj më moshë dhe kandidatë të Byrosë Politike në fillim të viteve ’80 ishin Gorbaçovi dhe Shevardnadze, që në atë kohë i kishin kaluar të 50-at.

Libri i përmendur i Voslenskit u botua për herë të parë në gjermanisht në vitin 1980 nga shtëpia botuese “Fritz Molden” dhe u përthye më mbas në shumë gjuhë duke ushtruar ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e mendimit sociologjik dhe politik. Në Bashkim in Sovjetik ai u botua për herë të parë më 1990 me parathënie nga Milovan Gjilasi.

 Përveç vetë ekzistimit të Nomenklaturës në ish-Republikën Socialiste të Shqipërisë, të dhëna të plota statistikore për të ende nuk janë nxjerrë në dritë.

 

VINI RE: Ky shkrim është konceptuar enkas për Hashtag.al

MUND TË KOMENTOSH

avatar
  Subscribe  
Më njofto