Mediat italiane raportojnë se Roma ka arritur marrëveshje me Juventusin për transferimin e sulmuesit argjentinas, Gonzalo Higuain, gjatë këtij afati kalimtar të verës, mirëpo sulmuesi është duke hezituar ta pranojë ofertën e verdhekuqve.
Dy klubet italiane – Roma dhe Juventusi – kanë marrëdhënie të mira mes vete dhe tashmë veçse kanë marrëveshje për shkëmbimin mes Luca Pellegrinit mes Leonardo Spinazzolas, transmeton Gazeta Express.
Tani, e përditshmja italiane, Corriere dello Sport, raporton se Roma ka arritur marrëveshje me Juventusin për ta huazuar Higuainin sezonin e ardhshëm për gjashtë milionë euro, me opsionin për ta blerë në fund të sezonit për 27 milionë euro të tjera.
Megjithatë, po i njëjti medium paralajmëron se kjo marrëveshje mes dy klubeve nuk është aprovuar ende nga futbollisti argjentinas, i cili sezonin e kaluar e shpenzoi i huazuar, fillimisht në Milan e pastaj në Chelsea.
Në vend se ta pranojë këtë ofertë të Romës, argjentinasi dëshiron që fillimisht ta zgjasë kontratën e tij me bardhezinjtë. Në kontratën e tij të re do t’i ulet paga në 4.5 milionë euro në vit.
31-vjeçari e ka filluar turneun parasezonal me skuadrën e “Zonjës së Vjetër” dhe ai ia ka bërë të qartë klubit se preferon të qëndrojë në “Allianz” më shumë sesa ta gjejë një klub të ri, përkundër që Maurizio Sarri nuk do të ketë vend për të në formacionin e parë.
Megjithatë, Higuaini është opsioni i parë i Romës për ta zëvendësuar Edin Dzekon, nëse ky i fundit e kompleton transferimin në Inter.