Alias-Autor: Jozef Shvejk
Ajo çfarë Zizek argumenton rëndom në filozofinë e tij është parabola “Edhe nëse nuk ekziston ti pretendo sikur ka ndodhur!”.
Për të kuptuar krizën aktuale duhet të jemi të qartë me ndryshimet kushtetuese që ndodhën në korrikun 2016 në parlamentin e Shqipërisë.
Reforma në Drejtësi ka qenë një nga marrëveshjet më të mjegullta dhe me më shumë të panjohura në historinë post-komuniste të Shqipërisë.e mbuluar me hije dyshimi për rrugën se si u ndoq për t’u krijuar e deri në ndryshimet e njëpasnjëshme pas vizitave të Nuland dhe Flekenshtein.
Përpara se të nisim një vëzhgim të shpejtë mbi atë çfarë prodhoi këtë krizë duhet të përshkruajmë legjendën. Së pari do të flasim për ndërkombëtarët, që është specia e atyre që merren përditë me punët e vendeve të tyre në Shqipëri dhe më pas për Ndërkombëtarët, që janë shefat e tyre që vijnë të mbledhin të korrat.
Për tre vjet me radhë ndërkombëtarët aplikuan teorinë zhizhekiane në lidhje me reformën në drejtësi, ata besuan se përmes Edi Ramës do të mund që të krijonin skemën e premtuar.
Sot, pas disa dështimesh të vazhdueshme në implementim si pasojë e ndërtimit dhe implementimit të gabuar por edhe për shkak të pengesave të hasura nga faktorët vendas, reforma po dështon.
Në fjalimin e 2 korrikut presidenti Meta tha disa të vërteta që ishin përfolur por kurrë çertifikuar nga goja e një kryetari institucioni, ai hodhi jo pak herë dorashkën në fytyrën e ndërkombëtarëve (me n të vogël) dhe mbrojti Ndërkombëtarët (me N).
Natyrisht aty brenda kishte një kordialitet të tepruar karshi figurave të ndryshme politike apo dhe ndërkombëtare. Por, në thelb presidenti shtroi atë që e kemi quajtur “RAMAFORMË”, një temë të cilën ai po e shpjegon që nga dita e dytë e korrikut me statuse në Facebook.
Besimi i verbër që ato po i japin Ramës është më shumë këmbëngulja që ato kanë për të përfunduar misionin e tyre me sukses. Por ky mision sot po rrezikohet jo nga të korruptuarit të cilët ato ia kanë lënë në dorë Ramës që t’i zbulojë me gjurmuesin Manja.
Ai po rrezikohet nga dritëshkurtësia ndërkombëtare e atyre që këtë mision e panë më shumë një mbështetje tarafesh dhe jo një betejë të ngritur mbi principin e shtetit të së drejtës.
Kështu kur Reforma zhduku Gjykatën Kushtetuese dhe hapi vrimën e zezë që po përthith sistemin dhe ekipin e shpëtimtarëve ndërkombëtarë, Donald Lu u shpreh se vendi fitoi një Gjykatë më të mirë Kushtetuese.
Ai nuk u shqetësua kur qytetarë të përgjegjshëm dhe të devotshëm u ankuan se shkatërrimi i saj do të sillte shkatërrimin e Reformës, përkundrazi heshti kur kryeministri krahasoi gjyqtarët me shejtanin dhe gjithashtu lakmoi këtë institucion të mbetur bosh.
Sot, amerikanët kanë mbërritur të kuptojnë se pikërisht kjo vrimë e zezë e hapur në mes të ditës po përpin jo vetëm fondet por edhe vetë filozofinë e Reformës në Drejtësi. Kështu që kanë vendosur që të mbushin me çtë munden këtë kaos që krijuan ndërkombëtarët e tyre këtu edhe duke thyer parimet më themeltare të demokracisë.
Gjithpushteti që i kanë dhënë Ramës me shumë mundësi u krijon shumë bezdi por problemi i tyre mbetet Gjykata Kushtetuese, ndaj nxitimi për të mbyllur atë gropë që ia hapën vetes po i zhyt më thellë.
Në të vërtetë, prakticiteti i SHBA sot po has dinakërinë shqiptare. Në llogaritë e ndërkombëtarëve në Shqipëri, dënimi i Saimir Tahirit do të thoshte rrëzimi i Edi Ramës (edhe arrestimi i tij), por kjo nuk mund t’i interesojë atyre.
Shefat e tyre, pra Ndërkombëtarët, mund të kënaqen dhe me një peshk të madh si Meta. Në këtë pikë duket se Meta ka kuptuar që kjo llogari ndonëse e mirëmenduar për të dalë pa lagur nuk mund të kalohet kollaj.
Tema pra është kjo; a është funksionale reforma? Përgjigjen e kësaj pyetjeje e jep periudha 3 vjeçare që nga dita e votimit të saj. Shqipëria sot ka një shpikje kushtetuese si PPP, po përgatitet për një tjetër shpikje kushtetuese si Gjykata e Lartë e Përkohshme sepse Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese kanë mbi 1 vit që mungojnë.
Në klimën e një sistemi vettingu që shumica e shqiptarëve, sipas Komisionit të Helsinkit, nuk e beson. Në kushtet kur PPP Marku është e gjitha në shërbim të mbylljes së dosjeve dhe hetimeve politike, vendit i duhet një drejtim tjetër.
Data 2 korrik duket se hodhi përfudimisht në lojë binarin opozitar, Ilir Meta kërkon një Kushtetutë të re (propozimi për president të zgjedhur nga populli nënkupton këtë) ndërkohë që Basha kërkon ndryshime thelbësore kushtetuese.
I vetmi që është i kapur në ngërç të këtyre propozimeve është Rama, që në fund të ditës ka mbrojtjen e Amerikës pasi kjo e fundit është e bindur të çojë deri në fund atë që ajo e konsideron Reformë në Drejtësi. E që në fakt as përfituesit e fondeve të saj tanimë nuk e besojnë se është një Reformë në Drejtësi.
Rama sot jeton me shprehjen “ndonëse nuk ka ndodhur ti beso se ka ndodhur” dhe mbi të gjitha me shpresën ta përdorë deri në fund reformën. Mbetet për t’u parë se sa gjatë do ta besojnë amerikanët dhe europianët se Rama realisht po mendon të implementojë reformën e tyre dhe jo të shfrytëzojë gropat në sistem për të prodhuar Ramaformën që të gjithë po shohim.
Shenim: u përpoqa të askesoja faqen zyrtare “www.reformanedrejtesi.al” dhe rezultonte e pa aksesueshme tre vjet pas miratimit të saj me 140 vota në kuvend.
VINI RE: Autori shkruan në rrjete sociale, me pseudonim. Hashtag.al publikon sporadikisht shkrime anonimati, kur përmbajtja dhe argumentimi prevalon mbi identitetin dhe kur shkrimi nuk përmban qëndrime që cënojnë integritetin e një personi ose të një institucioni.